Sot shënohet 22 Nëntori Dita e Alfabetit Shqip, 117 vjet një gjuhë
Sot shënojmë Ditën e Alfabetit Shqip, të unifikuar 117 vjet më parë në Kongresin historik të Manastirit. Kjo datë është simbol i identitetit, kulturës dhe unitetit tonë kombëtar. Festimet për Ditën e Alfabetit janë paralajmëruar të jenë tashmë traditë e përvitshme, me synimin që kjo ngjarje të marrë sa më shumë jehonë në të gjitha trevat shqiptare dhe kudo ku flitet shqip, shkruan Portalb.mk.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit 20, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor 1912 u shpall edhe Pavarësia e Shqipërisë.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Muzeu i Alfabetit në Manastir, dhe shumë institucione të tjera, sot do të organizojë aktivitete të ndryshme kulturore.