Fetahu: Haxhi edhe këtë vit do të kushtojë 6.650 euro

Kreu i BFI-së Shaqir Fetahu në Daily Click në TV21 tha se edhe sivjet haxhi do të kushtojë 6.650 euro. Fetahu thotë se rezervimet janë bërë gati deri në vitin 2026, ndërsa për dallim të vendeve të rajonit, thotë se në RMV sivjet nuk do të rritet çmimi, transmeton Portalb.mk.

“Tashmë jemi afruar afër Qabesë, afër Mekës, të afrohesh afër Qabes 1 kilometër e diçka, të afrohesh në oborrin e xhamisë së Medinës nuk është lehtë, dmth standardi kërkon edhe një çmim. A e dini ju se tashmë nuk ka vend edhe për vitin 2026, interesimi është aq i madh nga Maqedonia. Këtë vit unë kam presion të madh të gjenden vende, nuk ka. 2020 haxhi shkojnë sivjet, është mbushur para një viti, tash është mbushur në vitin 2025-2026, tash kanë filluar të regjistrohen për vitin 2027, dmth njerëzit janë shumë të kënaqur”, tha Fetahu.

Haxhi është shtylla e pestë dhe e fundit e Islamit. Haxhi është një udhëtim i shenjtë në Mekë për t’iu bashkangjitur xhematit më të madh njerëzor në tokë, ku besimtarët kryejnë një bashkësi ritualesh në disa rrethina të shenjta rreth Mekës, në dy javët e para të muajit të Dhulhixhes (muaji i dymbëdhjetë i kalendarit hixhri).