Sot hapi siparin edicioni i 37-të i Panairit të Librit në Shkup

Në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup, nën moton “Ushqim për shpirtin” sot hapi dyert edicioni i 37-të i Panairit të Librit. Në këtë panair marrin pjesë mbi 65 shtëpive botuese nga vendi dhe më gjerë. Këtë vit Panairi do të ofrojë më shumë se 110 promovime dhe takime me autorë, shkruan Portalb.mk.

Nga Maqedonia e Veriut marrin pjesë Shtëpia Botuese “Albas”, shtëpia Botuese “Logos A”, shtëpia Botuese “Furkan ISM”, Shtëpia Botuese “Nobel”, nga Kosova merr pjesë Shtëpia Botuese “Dituria Islame” dhe nga Shqipëria Shtëpia Botuese” “Fan Noli”.

Prej sot më 8 maj deri më 14 maj vizitorët do të kenë mundësinë të zgjedhin libra nga ofertat e autorëve vendas dhe të huaj, të marrin pjesë në promovime të veprave të reja dhe të takohen me botues.

Edona Ferati nga Shtëpia Botuese “Albas” për Portalb.mk tha se edhe për këtë panair kanë sjellë titujt të ri nga të gjitha zhanret.

“Ne si Shtëpi Botuese gjithmonë vijmë me risi gjatë panaireve. Edhe këtë vitë kemi titujt të ri të ndryshëm për fëmijë dhe për të rritur. Kemi libra zanor, jo zanor. Për të rritur kemi botimet e reja të Petro Markos dhe shumë tituj të ndryshëm për zhumë zhanre të ndryshme”, tha Ferati.

Ferati edhe më tej apeloi që të ngritet vetëdija e leximit dhe të ketë më shumë vizitorë gjatë ditëve të panairit.

“Shpresoj që sa ma shumë të ngritet vetëdija e leximit, të vijnë të na vizitojnë të paktën, të ndjejnë me afër librin, të ndjejnë atmosferën që zhvillohet këtu në panair dhe të ofrohen sa më shumë me librat”, tha Ferati.

Fotografi Edona Ferati nga Shtëpia Botuese “Albas”. Foto:Portalb.mk
Fotografi Edona Ferati nga Shtëpia Botuese “Albas”. Foto:Portalb.mk

Ramadan Shkodra nga Shtëpia Botuese “Dituria Islame” nga Kosova për Portalb.mk tha se prej panairit të kaluar i kanë sjellë diku 10 tituj të ri, problem për stendën e tyre ishte edhe hapësira ku i kanë vendosur organizatorët e panairit.

“Prej panairit të kaluar jane diku 10 tituj të ri, dhe sot këtu për vizitorët kemi diku rreth 75 tituj. Kemi pasur probleme në kufi me bartjen e librave, gjithashtu problem kemi edhe me hapësirën ku jemi të vendosur”, tha Shkodra.

Pjesë e ditës së parë ishin edhe fëmijët të organizuara nga shkollat e ndryshme në vend, dukë kërkuar titujt e tyre të preferuar.

Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe shkrimtari i njohur gjerman Sebastian Ficek, ndërsa për më të rinjtë do të organizohen punëtori edukative dhe krijuese, maskota dhe argëtim më 10 dhe 11 maj.

Dyert e panairit do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 10 deri në orën 20, ndërsa ditën e fundit deri në orën 18.

Çmimet e biletave janë 100 denarë për biletë të rregullt, 50 denarë për nxënësit dhe 250 denarë për tre vizita.

Hyrja është falas për fëmijët deri 12 vjeç në prani të prindërve. Me çdo biletë të blerë, 15 denarë do të dhurohen për Fshatin e Fëmijëve SOS.