Sonte në Tiranë shfaqet për herë të parë në formë të digjitalizuar filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”
Sonte me fillim nga ora 18:00, në “Auditorium”-in pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë, do të shfaqet për herë të parë në formë të digjitalizuar filmi “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, njofton Portalb.mk.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton se ky film, realizim i regjisorit Dhimitër Anagnosti në vitin 1979, mbi skenarin e romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ekranizohet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur me këtë rast, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Një gjeneral (Bujar Lako) dhe një prift italian (Guljelm Radoja) arrijnë në Shqipëri për të tërhequr eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë luftës. Gjenerali me priftin, të porositur nga Beti (Rajmonda Bulku), kërkojnë edhe eshtrat e bashkëshortit të saj të vdekur, një koloneli të njohur, dhe zbulojnë se ai ka përdhunuar një vajzë të re dhe është vrarë nga e ëma e saj, plaka Nicë (Roza Anagnosti).
Në role janë aktorë Bujar Lako, Guljelm Radoja, Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Kastriot Ahmetaj, Vasillaq Godo, Raimonda Bulku, Liza Vorfi, Birçe Hasko, Andon Qesari, Petraq Xhillari, Ilia Shyti, Liza Laska, Xhemil Tagani, Xhelal Tafaj, Niko Kanxheri, Justina Aliaj, etj.
Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, DPA-ja synon që përmes kinematografisë, duke ruajtur kthjelltësinë ndaj ngarkesës ideologjike të filmave, t’i njohë të rinjtë me të shkuarën e vendit.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nisi punë me restaurimin veprave filmike në vitin 2012 në bashkëpunim edhe me studiot e huaja. Filmat që janë restauruar deri tani janë prodhime kinematografike para viteve 90-ta.
Premiera e filmit të restauruar “Kthimi i ushtrisë së vdekur” me regji nga Dhimitër Anagonsti vjen pas filmit të restauruar “Lulëkuqe mbi mure” në dhjetor të vitit 2023. Një tjetër film realizuar nga regjisori i njohur Dhimitër Anagonsti është dhe “Përrallë nga e kaluara” prodhim i vitit 1987, i cili gjithashtu më parë kaloi në një proces restaurimi për t’u shfaqur më pas variant i restauruar premierë për publikun.
Po ashtu në restaurim ka qenë dhe dokumentari “Përjetësi” i vitit 1974 me regji nga Anagnosti. Dhimitër Anagnosti (Vuno, 23 janar 1936) është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Në karrierën e tij ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.