LIGJI I NATYRËS
Ka një kohë që merremi me një nga veprat e C.S. Lewis-it (1898-1963), ndër shkrimtarët më të njohur të shek. XX, studiues, apologjet i njohur britanik, ligjërues në Oxford dhe Cambridge. Është autor i mbi 40 veprave, mes tyre The Bolitiomn of Man (1943), The Great Divorce (1945), Mere Christianity (1952), The Chronicles of Narnia (1950), An Experiment in Criticism (1961)… Ka bërë famë me veprat mbi fantazinë fëminore dhe shkrimet dhe ligjëratat rreth besimit. Një kohë ateist i deklaruar që më vonë përmes rrugëtimit intelektual dhe shpirtëror arrin te Zoti. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka bërë nam me bisedat në BBC në platformën “E drejta dhe e gabuara, gjurmët mbi kuptimin e universit. (cslewisinstitute.org)
Ndër konceptet kryesore më të cilat merret Lewis është “ligji i natyrës”, një diçka që e dimë nga fakti që jemi njerëz (Crowley, 2018), që ndërlidhet me etikën, moralin njerëzor, me dijen mbi të mirën dhe të keqen, me Virtytin ose Udhën. Sipas tij, ka Dikush që qëndron pas ligjit natyror. Qenia pas universit është jashtëzakonisht e interesuar për drejtësinë, paqen, besnikërinë, ndershmërinë dhe sinqeritetin. Njerëzit ndonëse e dallojnë të mirën e nga e keqja, ndonëse e dinë ligjin e natyrës, sërish vazhdojnë të bëjnë shëmtira.
Ne më shumë mësojmë për Zotin nga Ligji Natyror sesa nga universi në përgjithësi, ashtu siç mësojmë më shumë për një person duke dëgjuar bisedën e tij sesa duke parë një shtëpi që ai ka ndërtuar. (Lindskoog, 1996) Ligji Natyror na detyron të bëjmë atë që është e drejtë, pavarësisht se sa e dhimbshme, e rrezikshme ose e vështirë mund të jetë ajo. Në Shfuqizimi i njeriu, ku ai vë në shënjestër relativizmin ose subjektivizmin moral, ku mundohet të rrënjosë identitetin njerëzor në vetëdijen mbi vlerën subjektive (Ward, 2022), Lewis e përdor termin “Tao” si shkurtim për Ligjin Natyror ose Parimin e Parë. Ai thotë se s’ka vlera që nuk janë të derivuara nga Ligji Natyror. Sipas tij, Ligji i mirëbëries së përgjithshme mund të shikohet nga dy kënde, negativ dhe pozitiv, të ilustruar me shembuj nga qytetërimi njerëzor:
(a) negativ
‘Nuk kam vrarë njerëz.’ (Thënie egjiptiane e vjetër. Nga Rrëfimi i shpirtit të drejtë, ‘Book of the Dead’, Encyclopedia of Religion and Ethics [ERE], vëll. V, f. 478)
‘Mos vrit.’ (Thënie e vjetër hebreje. Eksodi 20:13)
‘Mos i tmerro njerëzit ngase Zoti do të të tmerrojë ty.’ (Egjiptiane e vjetër. Këshillat e Ptahhetepit. H. R. Hall, Ancient History of the Near East, f. 133)
‘Në Nastrond (=Ferr) i pashë… vrasësit.’ (Thënie e vjetër nordike. Volospá 38, 39)
“Unë nuk kam sjellë mjerim mbi shokët e mi. Nuk e kam bërë fillimin e çdo dite të mundimshëm në sytë e atij që punoi për mua.’ (Thënie e vjetër egjiptiane. Rrëfimi i shprtit të drejtë. ERE, vëll. V. 478)
‘Nuk kam qenë lakmitar.’ (E vjetër egjiptiane. Ibid.)
‘Kush ëndërron shtypjen, i përmbyset shtëpia.’ (Babilonase. Himn Samasit. ERE, vëll. V, 445)
‘Ai që është i egër dhe shpifës ka karakterin e një maceje..’ (Hinduiste. Ligjet e Manusë. Janet, Histoire de la Science Politique, vëll. i, f. 6)
‘Mos shpif.’ (Babiloniane. Himn Samasit. ERE, vëll. V, 445)
‘Mos thuaj asnjë fjalë që mund të lëndojë dikë.’ (Hinduiste. Janet, f. 7)
‘Vallë e ka… larguar një njeri të ndershëm nga familja e tij? Ka shkatërruar një fis të fortë?’ (Babiloniane. Regjistri i Mëkateve nga pllakat magjike. ERE, vëll. V, 446)
‘Nuk kam shkaktuar uri. Nuk jam bërë sebep i të qarave.’ (E vjetër egjiptiane. ERE, vëll. V, 478)
‘Mos ia bër tjetrit atë që nuk dëshiron të tjerët të ta bëjnë ty.’ (Fjalë e vjetër kineze. Analects of Confucius, trans. A. Waley, xv. 23; cf. xii. 2)
‘S’mund të urrejë askënd njeriu në zemrën e të cilit ka mirësi minimale.’ (E vjetër kineze. Analektet, IV. 4)
(b) pozitiv
‘Natyra e nxit njeriun që të dojë ekzistencën e shoqërisë dhe përfshirjen në të.’ (Romake. Ciceroni, De Officiis [Mbi detyrat],I. IV)
‘Sipas ligjit themelor të natyrës, njeriu duhet të mbrohet sa të jetë e mundur. ‘ (Locke, The Second Treatises of Government [Dy traktate mbi qeverisjen]. II. 3)
‘Kur njerëzit janë shumuar, çfarë tjetër duhet për ta?’ Mjeshtri tha: ‘Begatoji ata!’ Jan Ch’iu klithi: ‘Pasi t’i kesh begatuar, çfarë tjetër duhet bërë?’ Mësuesi shtoi: ‘Mësoji ata!’ (E vjetër kineze. Analektet, XIII. 9)
‘Fol me butësi… ji vullnetmirë.’ (Babilonian. Himn Samasit. ERE, vëll. V, 445)
‘Njerëzit janë krijuar me qëllim që t’i bëjnë njëri-tjetrit mirësi.’ (Romake. Ciceroni. Mbi detyrat. I, VII)
‘Njeriu është gëzim për njeriun.’ (E vjetër nordike. Hávamál 47)
‘Duhet gjithnjë të japë ai nga i cili kërkohet lëmoshë.’ (Hinduse. Janet, I. 7)
‘Njeriu i mirë e sheh fatkeqësinë e tjetrit si brengë të veten.’ (Romake. Juvenal XV. 140)
‘Jam njeri: asgjë njerëzore nuk është e huaj për mua.’ (Romake. Terenci, Njeriu që mundon veten.)
‘Bëjuni njerëzve atë që dëshironi që ata t’ua bëjnë juve.’ (Krishtere. Mateu 7:12)
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.