Sonte në Gostivar hapet ekspozita tradicionale mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”
Sonte me fillim nga ora 19:00 në Qendrën për Kulturë në Gostivar hapet ekspozita tradicionale mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”, transmeton Portalb.mk.
Gostivari, 28 Nëntorin e ka shënuar me shumë aktivitete të ndryshme të cilat u realizuan në shtëpinë e kulturës. Për të 21-të herë me radhë Shoqata e Artistëve Figurativë “Draudacum” ndau “Çmimin e Nëntorit” në disa lëmi të artit.
Ky çmim i artit pamor në Gostivar tashmë është tradicional dhe jepet për nder të festave të nëntorit ose muajit të lavdishëm të shqiptarëve. Shoqata e Artistëve “Draudacum” është në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Kulturë në Gostivar ku edhe do të ekspozojnë veprat e 41 artistëve shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova.
Komisioni artistik në përbërje nga profesorët e artit figurativ: Xhelil Rufati, Reshat Ameti dhe profesorë të tjerë universitar do të ndajnë çmimet: Çmimin e Nëntorit, Çmimin për pikturë, fotografi, grafikë, qeramikë, skulpturë dhe shumë çmime të tjera nga të gjitha lëmit e artit.
Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë së Veriut.
