Nesër në Gostivar do të hapet ekspozita “Metamorfiza e dritës” nga Muhamet Idrizi

Më 18 dhjetor, në Qendrën e Kulturës në Gostivar, me fillim nga ora 19:00, do të hapet ekspozita personale “Metamorfiza e dritës” e artistit Muhamet Idrizi. Kjo ekspozitë sjell para publikut një cikël veprash që eksplorojnë marrëdhënien mes dritës, formës dhe transformimit, duke ofruar një përjetim vizual dhe emocional për vizitorët, shkruan Portalb.mk.

Piktori Muhamet Idrizi për Portalb.mk tha se ekspozita mund të lexohet njëkohësisht si një çlirim personal, pa qenë e nevojshme të zgjedhë njërën anë kundrejt tjetrës

“Po, kjo ekspozitë mund të lexohet njëkohësisht si një çlirim personal, pa qenë e nevojshme të zgjedhë njërën anë kundrejt tjetrës. Në planin personal, abstraksioni shërben si një gjuhë e brendshme: një mënyrë për të nxjerrë emocione dhe gjendje shpirtërore që nuk mund të artikulohen drejtpërdrejt me forma figurative. Çdo formë, ngjyrë apo ritëm vizual bëhet shenjë e një procesi çlirimi, një hapësirë ku artisti përballet me veten dhe gjen liri shprehjeje. Abstraksioni sfidon shikuesin të mendojë, të ndiejë dhe të mos e pranojë realitetin ashtu siç i serviret. Kjo formë arti nuk jep përgjigje të drejtpërdrejta. Prandaj, ekspozita nuk është vetëm një shprehje intime, por edhe një qëndrim artistik: një dritë e brendshme që përpiqet të çajë errësirën dhe të rikujtojë fuqinë transformuese të artit”, tha Idrizi.

Foto nga ekspozita “Metamorfiza e dritës”. Foto: Muhamet Idrizi
Foto nga ekspozita “Metamorfiza e dritës”. Foto: Muhamet Idrizi

Ai shtoi se “Metamorfiza e dritës” rrëfen një histori transformimi të brendshëm, që shpaloset gradualisht nga vepra e parë deri tek e fundit.

“. Ajo nis në një hapësirë ku drita është e brishtë, e fragmentuar dhe shpesh e përzier me errësirën, një gjendje fillestare që pasqyron pasigurinë, trazimin dhe kërkimin. Në këto vepra të para, drita duket sikur lufton për të dalë në sipërfaqe, duke reflektuar një proces të papërfunduar, ende në formësim. Me avancimin e ekspozitës, drita fillon të ndryshojë formë dhe kuptim. Ajo nuk shfaqet më vetëm si kundërvënie ndaj errësirës, por si një element që e përqafon edhe të papërsosurën. Ngjyrat bëhen më të hapura, ritmet më të çliruara dhe format më të guximshme, duke treguar një pranim të realitetit ashtu siç është, me të gjitha çarjet dhe pasiguritë e tij. Në veprat e fundit, metamorfiza e dritës arrin kulmin: drita nuk është më ideale apo e pastër, por e vërtetë. Autori synon të tregojë se bukuria nuk qëndron vetëm tek përsosmëria, por edhe tek papërsosmëria, tek gjurmët, gabimet dhe fragmentet që na formësojnë. Kjo ekspozitë është një ftesë për ta parë botën dhe veten me një sy më të butë, ku edhe ajo që duket e thyer apo e paplotë mund të ndriçohet dhe të shndërrohet në bukuri”, tha Idrizi.

“Metamorfiza e dritës” në thelb paraqet një histori shprese dhe pranimi, një rrugëtim artistik që na mëson se drita nuk ndryshon vetëm hapësirën, por edhe mënyrën se si shohim dhe ndiejmë.

Foto nga ekspozita “Metamorfiza e dritës”. Foto: Muhamet Idrizi
Foto nga ekspozita “Metamorfiza e dritës”. Foto: Muhamet Idrizi