Dezinformatat sfidojnë demokracinë, në RMV përzihet propaganda e huaj me polarizimin e brendshëm

Dezinformatat synojnë të sfidojnë demokracinë dhe përmes aktorëve të ndryshëm të formësojnë peisazhin gjeopolitik, megjithatë ndërtimi i qëndrueshmërisë mund t’i bëjë ballë kësaj goditjeje dhe ta mbrojë demokracinë. Këtë mes tjerash e theksuan sot ekspertët e kësaj fushe duke diskutuar mbi narrativet dezinformuese, mënyrat dhe ndikimet negative që ata sjellin edhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Sipas hulumtimit të realizuar nga Pikasa Analytics dhe Democracy Lab, në partneritet me Institutin Maks van der Stoel, nga 18,110 artikuj që janë analizuar brenda muajit maj-tetor për përmbajtje të qëndrimeve keqdashëse nga mediat në Maqedoninë e Veriut, ka dalë se 21% e të rasteve përmbajnë narrative antiperëndimore, 15-25% përmbajnë narrative anti BE dhe anti NATO me 10-15% të rasteve, si dhe raste të tjera me përmbajtje keqdashëse si etnike, religjioze apo gjinore.

Edlira Palloshi Disha nga Instituti Maks van der Stoel theksoi se dezinformimi është aktiv dhe sistematik, me gati një të katërtën e të gjithë përmbajtjes së analizuar që pasqyron narrative të lidhura me Kremlinin ose anti-perëndimore.

“Këto narrative përforcojnë njëra-tjetrën, duke krijuar një ekosistem koherent propagande anti-perëndimore dhe pro-autoritare. Mediat në gjuhën maqedonase janë objektivat kryesore”, tha Palloshi Disha.

Dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në UEJL, Demush Bajrami theksoi se dezinformatat në kohët e sotme përbëjnë kërcënime të cilat nuk njohin kufi. Zgjidhja sipas tij është investimi në vlerat demokratike, media të pavarur dhe angazhim qytetar.

“Dezinformimi nuk tenton të bindë me fakte, por të manipulojë bindjet e njerëzve. Përballë kësaj sfide përgjigja jonë mund dhe duhet të jetë e fortë. Të mbrosh demokracinë sot është imperativ sigurie”, tha Bajrami duke shtuar se kjo gjeneratë ka përparësi të jetë avokues i këtyre çështjeve.

Diskutim: Sfida e demokracisë dhe formësimi i peizazhit gjeopolitik: aktorët, synimet e dezinformimit dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Diskutim: Sfida e demokracisë dhe formësimi i peizazhit gjeopolitik: aktorët, synimet e dezinformimit dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sipas Sefer Selimit, drejtor i Democracy Lab, dezinformimi nuk është vetëm çështje e medias, por sfidë e dijes, mendimit kritik dhe demokratik.

“Dezinformimi nuk ndikon vetëm në mendime, por në sjellje dhe vendimmarrje. Demokracia nuk mbrohet me deklarata, por me integritet dhe bashkëpunim të vazhdueshëm”, tha Selimi.

Dezinformatat ndikojnë edhe në proceset zgjedhore, kështu theksoi Xhabir Deralla nga Civil, i cili theksoi se kjo në vendin tonë shihet se gjithnjë e më pak ka dalje në zgjedhje.

“Dezinformatat janë armë, ata vrasin. Dezinofrmatat nuk janë vetëm problem mediatik, ata janë instalim strategjik që e destabilizojnë shoqërinë”, tha Deralla.

Monitoruesja e mediave nga Fondacioni Metamorfozis, Despina Kovaçevska theksoi problem tjetër përveç dezinformatave janë edhe narrativet e rrezikshme dhe të dëmshme që krijohen. Sipas sa, dezinformatat mund të verifkohe, ndërsa ndarrativet jo gjithmonë mund të verifikohen.

“Ajo që mund të bëjmë është të kemi një qasje shoqërore gjithëpërfshirëse: institucionet, akademia, të rinjtë. Të punojmë së bashku ppër këtë problem. Por, edhe financimi luan roë të madh në këtë drejtim”, tha Kovaçevska.

Diskutim: Sfida e demokracisë dhe formësimi i peizazhit gjeopolitik: aktorët, synimet e dezinformimit dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Diskutim: Sfida e demokracisë dhe formësimi i peizazhit gjeopolitik: aktorët, synimet e dezinformimit dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërkaq Albulena Halili nga Instituti Maks van der Stoel sqaroi rolin që akademia ka dhe duhet të ketë në këtë drejtim. Sipas saj, dezinformimi nuk është problem vetëm medial si kuptohej në fillim, pro është problem i sigurisë kombëtare.

Ajo përmendi Maqedoninë e Veriut si shoqëri multietnike e polarizuar, dhe shfrytëzimin e këtij momenti nga Rusia për të arritur qëllimet e saj destabilizuese.

“Dezinformimi është pjesë e luftës së gjeneratës së re. Ajo që po ndodh me dezinformimin është sulm ndaj rendit liberal demokratik. Duhet të jemi t kujdesshëm me këtë pak demokraci që e kemi dhe si ta çojmë një hap më tej”, tha Halili.

Panelist ishte edhe Veli Kreci, drejtor i Institutit Maks van der Stoel, i cili ofroi një analizë të dinamikës midis fenomeneve të dezinformimit dhe keqinformimit dhe vlerave thelbësore të demokracisë, konkretisht me lirinë e fjalës. Brenda kësaj strukture, ndikimi i dezinformimit mbi qeverisjen demokratike u paraqit si sfidë kryesore.

Sipas gjetjeve të hulumtimit, në përgjithësi Maqedonia e Veriut përballet me sulm të koordinuar informativ, duke përzier propagandën e huaj me polarizimin e brendshëm.