Sonte do të bëhet hapja ceremoniale e “Mbrëmjeve strugane të poezisë”

Sonte ora 20:30 në Qendrën e Kulturës “Vëllezërit Milladinovci” në Strugë, e njohur ndryshe si Shtëpia e Poezisë, do të mbahet ceremonia e hapjes së edicionit të 63-të të sivjetmë të manifestimit ndërkombëtar Mbrëmjet strugane të poezisë, transmeton Portalb.mk.

Në ceremoninë e hapjes do të ketë performancë muzikore nga pianisti Dino Imeri, lexim poezish nga Vele Smilevski, prezantim nga ministri i kulturës Zoran Lutkov, ndërsa skenografia do të përgatitet posaçërisht nga OTP Studio.

Në kuadër të leximit tradicional të poezisë “Meridianët”, poezitë e tyre do t’i lexojnë fituesi i Kurorës së artë, poeti dhe dramaturgu i shquar francez, Jean-Pierre Simeon, fituesi i “Vëllezërit Miladinovci” për vitin 2024, poetja dhe teoricienja e letërsisë, Katica Qulavkova , fituesja e “Urat e Strugës”, poetja gjermane Katrin Pitz, poeti suedez Bengt Berg, poeti turk Gökçenur Çelebioğlu, poeti mongol Galsansukh Dezhidmaa si dhe shumë poetë të tjerë të huaj dhe vendas.

“Motoja e festivalit të sivjetmë është PREKJA E BUKURISË. Me këtë moto duam të nxjerrim në pah atë aspekt të poezisë dhe të gjuhës poetike që mundëson kontaktin e njeriut me sferat më të larta të së Bukurës, të mishëruara në poezi. Por ne duam të nderojmë edhe novacionin e Braillit, kodifikimi i së cilës 200 vjet më parë u mundësoi të verbërve përmes prekjes dhe lehtësimit të Braillit të prekin botën e librave dhe letrave dhe të ndjejnë bukurinë e poezisë”, thonë nga festivali.