Sonja Simovska u zgjodh u.d. kryeprokurore e RMV-së

Sonja Simovska me 9 vota për dhe asnjë kundër nga Këshilli i Prokurorëve u zgjodh si ushtruese detyre kryeprokurore e shtetit, në vend të Ljubomir Joveskit deri në emërimin e rregullt të kryeprokurorit të ri sipas procedurës e cila kalon përmes Qeverisë dhe Kuvendit, transmeton Portalb.mk.

Prokurorja Simovska detyrën do ta merr të hënën nga kreu aktual i prokurorisë Joveski, të cilit po atë ditë (25 dhjetor) i skadon mandati.

Simovska nga viti 2009 deri në vitin 2021 ka qenë prokurore e lartë në Shkup, ndërsa nga fillimi i vitit 2022 është pjesë e prokurorisë republikane.

Në ndërkohë vijon procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, post për të cilin garojnë tre kandidatë.

Në garë janë prokurorja Fatime Fetai nga Prokuroria e Lartë të Shkupit, Lidija Raiçeviq nga Prokuroria Themelore Publike dhe prokurori Ljupço Kocevski nga Prokuroria Republikane.

Fatime Fetai është prokurore nga viti 2011 në Prokurorinë Publike të Shkupit. Ajo u bë e njohur për publikun e gjerë pasi u bë pjesë e ekipit të Katica Janevës në vitin 2015, ku qëndroi deri në shtator 2019. Pas shpërbërjes së PSP-së, ajo u kthye në prokurorinë e Shkupit. Ajo ka aplikuar edhe për pozitën e prokurores në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por aty nuk ka marrë votat e nevojshme. Nga prilli i vitit 2021 është në Prokurorinë e Lartë të Shkupit. Edhe vitin e kaluar ai ka aplikuar për të qenë në krye të kësaj prokurorie, por në momentin e fundit ka tërhequr kandidaturën.

Lidija Raiçeviq është prokurore në Prokurorinë Publike të Shkupit që nga viti 2003 dhe për një mandat ka ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndër rastet e njohura në opinion janë edhe ish-drejtori i Onkologjisë Nino Vasev, vrasja e Pino Sekondo, rasti “Rover” kundër Lube Boshkovskit dhe rasti “Erasmus”.

Ljupço Kotsevski ka qenë në avokaturë për 16 vjet. Në vitin 2008 është zgjedhur prokuror në Prokurorinë e Lartë të Gostivarit. Në janar 2022 u gradua në Prokurorinë e Republikës.

Kuvendi e shpalli konkursin më 29 nëntor të këtij viti, pasi që deputetët e votuan vendimin për emërim të prokurorit të ri publik.

Qeveria, në mbledhjen më 19 dhjetor solli vendim t’i dërgojë letër Këshillit të prokurorëve publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë mendimin me shkrim për kandidatët e paraqitur në Konkursin për emërimin e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Këshilli i Prokurorëve Publikë, në pajtim me afatet ligjore, në afat prej 15 ditëve duhet të japë mendim pozitiv apo negativ në Qeveri, pas çka Qeveria në Kuvend propozon njërin prej kanddidatëve që ka marrë mendim pozitiv.

Sipas Ligjit për prokurori publike për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut mund të emërohet personi i cili ka stazh të pandërprerë prej së paku dhjetë viteve si prokuror publik apo si gjykatës nga fusha e së drejtës penale.

Prokurorin publik e emëron Kuvendi, me propozim të Qeverisë, me mandat gjashtë vjeçar dhe me të drejtë riemërimi.

Për punën e tij dhe të Prokurorisë Publike përgjigjet para Kuvendit.

Nëse për arsye të forta Këshilli i Prokurorëve Publikë brenda afatit nuk i paraqet mendim Qeverisë, ai (afati) shtyhet edhe për 15 ditë. Nëse në këtë afat Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk paraqet mendim, konsiderohet se mendimi është pozitiv.

Nëse Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk jep mendim pozitiv për asnjërin nga kandidatët e regjistruar, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk mund të bëjë propozim për emërimin e prokurorit publik dhe do t’i propozojë Kuvendit që të përsëritet shpallja.

Prokurori aktual i shtetit, Jovevski, u emërua më 25 dhjetor 2017, duke pasuar Marko Zvrlevskin, i cili u shkarkua në gusht të po atij viti.