RMV, Saramandova dhe Pelivanov u zgjodhën prokurorë të lartë nga 16 kandidatë të paraqitur

Prokurori i dikurshëm i Prokurorisë Speciale, Trajçe Pelivanov dhe prokurorja Natasha Saramandova u bënë prokurorë të lartë, pasi për ta votuan shumica e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, transmeton Portalb.mk.

Pelivanov dhe Saramandova ishin në mesin e 16 kandidatëve të paraqitur në shpallje dhe sipas anëtarëve të Këshillit, të gjithë kandidatët meritonin të avancoheshin në Prokurorinë e Lartë.

Pelivanov pas PSP-së, u bë prokuror në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe ishte ushtrues detyre i prokurorisë kur u mor vendimi për suspendimin e Vilma Ruskoskës.

Saramandova, nga ana tjetër, ka qenë prokurore në rastin e ish-gjyqtarit Vladimir Pancevski për keqpërdorim të sistemit AKMIS dhe ka pasur përpjekje të pasuksesshme për t’u bërë pjesë e ekipit të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kujtojmë se dje, një organ tjetër i sistemit të drejtësisë, Këshilli Gjyqësor zgjodhi gjyqtaren Emine Murati për gjyqtare nga fusha penale në Gjykatën e Apelit të Gostivarit, ndërsa gjyqtari Vullnet Vinca nga Gjykata Themelore Ohër u delegua në Strugë dhe u zgjodh ushtrues detyre kryetar i Gjykatës Themelore të Strugës, ku dje u konstatua pensionimi i ish-kryetari Ifet Bajramovski.