“Skupi Kamerfest” sjell magjinë e muzikës kamertale në Shkup

Një traditë e pasur muzikore dhe një festë e vërtetë e artit dhe kulturës ka gjetur vend në zemrën e qytetit të Shkupit. “Skupi Kamerfest”, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Kamertale, po mbahet edhe këtë vit për të sjellë edhe më shumë performanca emocionuese, bashkëpunime të veçanta dhe një program të pasur me artistë nga e gjithë bota, shkruan Portalb.mk.

Ky festival është një mundësi e shkëlqyer për adhuruesit e muzikës për të përjetuar përbërje të veçanta, interpretime të nivelit të lartë dhe një atmosferë unike që vetëm muzika klasike mund të ofrojë. Skupikamerfest” solli net të mbushura me melodi, publiku pati mundësinë të dëgjojë artistë të njohur dhe talente të reja nga fushat më të ndryshme të muzikës kamertale.

Nita Grubi drejtoreshë e festivalit për Portalb.mk tha se i gjithë programi i festivalit u mirëprit me shumë emocion nga publiku.

“Hapja e festivalit ishte në nivel shumë të lartë artistik duke u bazuar në opinionin e publikut dhe artdashëvse që ishin prezent. Vira Zhuk dhe Mariam Vardzelashvili, janë paraqitur me një nivel shumë të lartë artistik, me një program të repertorit shumë të rëndësishëm të muzikës klasike, dhe të asaj për violinë dhe piano. Beethoven dhe Brahms, janë dy kompozitor, shtylla të rëndësishme të traditës së muzikës klasike. Në hapjen e festivalit më 9 shtator, u luajtën dy sonata për violinë dhe piano, Sonata nr.9 nga Beethoven dhe Sonata nr.3 nga Brahmsi, të cilat u pritën shumë mirë nga publiku”, tha Grubi.

Foto nga festivali “Skupi Kamerfest”. Foto: Maja Argakijeva
Foto nga festivali “Skupi Kamerfest”. Foto: Maja Argakijeva

Ajo shtoi se këtë edicion tendencat janë që secila natë të jetë si një tregim më vete. Të gjithë artistët që do të jenë pjesë në edicionin e sivjetshëm paraqiten për herë të parë në Shkup.

“Bazuar në edicionet e mëparshme, koncerti i hapjes solemne-si ai nga “Hungarian String Harmony”, më 5 shtator 2024, shpesh konsiderohet kulminant për stil, paraqitje dhe prestigj. Po ashtu, edhe sivjet tendencat janë që secila natë të jetë si një tregim më vete. Të gjithë artistët që do të jenë pjesë në edicionin e sivjetshëm paraqiten për herë të parë në Shkup. Shpresojmë që kjo do të zgjojë kurreshtjen e publikut, gjithashtu veprat që do luhen, duke veçuar Duo Bertollini që pritet të sjelli vepra premierë në Shkup”, tha Grubi.

Gjatë muajit tetor, te Muzeu i Luftës Maqedonase do të organizohen edhe dy koncerte:

  • 12 tetor-Duo Bertolini nga Italija
  • 27 tetor -Dorina Laro dhe Ina Petrollari Laco nga Shqipëria

Për më shumë informacione rreth programit të festivalit mund ta vizitoni faqen e OJQ “Muza” në Facebook dhe Instagram.