Lorin Terezi debuton me “AGIA” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Varshavës
“AGIA”, filmi më i ri shqiptar me skenar dhe regji të Lorin Terezit, do të prezantohet për herë të parë para publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Varshavës. Filmi është pjesë e kategorisë 1-2 të edicionit të 42-të të festivalit, i cili do të zhvillohet nga 9 deri më 18 tetor 2026, shkruan Portalb.mk.
Për regjisorin Lorin Terezi, i cili me “AGIA” debuton në filmin artistik me metrazh të gjatë, përzgjedhja në Varshavë sjell njëkohësisht emocion dhe përgjegjësi.
“Është një emocion dhe një përgjegjësi e madhe që filmi im i parë i gjatë ta nisë rrugëtimin me premierën botërore në Festivalin e Varshavës. Një përzgjedhje e tillë i jep filmit mundësinë të takohet që në fillim me një publik ndërkombëtar dhe me njerëz të kinemasë që vijnë nga kultura e këndvështrime të ndryshme. Për mua, kinemaja ndërkombëtare nuk fillon thjesht me hyrjen në një festival, por në çastin kur një spektator që nuk e njeh realitetin tonë arrin të njohë diçka nga vetja në personazhet dhe dilemat e filmit”, tha Terezi për Portalb.mk.
Një histori nga Shqipëria e trazuar e viteve ’90
“AGIA” është vendosur në Shqipërinë e fillimviteve ’90, në periudhën e menjëhershme pas rënies së regjimit komunist, kur vendi po përballej me një realitet të ri politik, ekonomik dhe shoqëror.
Sipas Terezit, filmi është frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë e vitit 1992, e cila e ka shoqëruar që nga fëmijëria.
“Vitet ’90 ishin një periudhë kur fjala ‘liri’ dëgjohej kudo, por shumë pak njerëz e dinin se çfarë kërkonte ajo prej tyre. Shqipëria doli nga një diktaturë e ashpër dhe hyri pothuajse pa orientim në një realitet të ri. Ishte si një adoleshente pa prindër dhe pa mësues, e magjepsur nga liria, por ende e pavetëdijshme për përgjegjësinë dhe rreziqet që vinin bashkë me të”, thotë ai.
Ngjarja reale mbi të cilën është frymëzuar filmi, kujton regjisori, kishte ndikuar edhe në jetën e familjes së tij.
“Pas asaj ngjarjeje, mbaj mend se si prindërit e mi filluan të mbyllnin dyert, të vendosnin hekura në dritare dhe të shihnin botën jashtë me një frikë të re. Shumë vite më vonë, teksa ndërtoja familjen time, e kuptova më thellë peshën e asaj historie.”
Në qendër të filmit është Agia, një grua e re që kërkon të punojë, të dëshirojë, të gabojë dhe të vendosë vetë për jetën e saj. Përballë saj qëndrojnë jo vetëm izolimi dhe pasiguria e një shoqërie në tranzicion, por edhe rregullat e një bote të dominuar nga burrat.
Terezi thekson se filmi nuk synon të justifikojë krimin apo t’i paraqesë autorët e tij si heronj, por të vëzhgojë njerëz që janë rritur mes një mendësie të vjetër dhe një sistemi shtypës dhe që papritur gjenden përballë një lirie me të cilën nuk dinë çfarë të bëjnë.
“Do të doja që publiku të largohej nga salla me pyetjen se çfarë vlere ka liria, nëse nuk shoqërohet me përgjegjësi dhe nëse nuk u përket të gjithëve në mënyrë të barabartë. Sepse liria e një shoqërie matet edhe nga hapësira që ajo i krijon një gruaje për të zgjedhur jetën e vet”, thotë regjisori.
Aktorë nga Shqipëria dhe Kosova, me synim edhe publikun në Maqedoninë e Veriut
Në kastin e “AGIA” janë Luiza Xhuvani, Lulzim Zeqja, Kosovare Krasniqi, Lurni Krasniqi, Afrim Muçaj dhe Luan Jahja, duke bashkuar aktorë nga Shqipëria dhe Kosova.
Për Terezin, kjo nuk përbën një ndarje brenda filmit, por është pjesë e natyrshme e së njëjtës hapësirë kulturore shqiptare.
“Një aktor nga Kosova është po aq i zakonshëm në këtë histori sa mund të ishte një aktor nga Shkodra, Korça apo çdo trevë tjetër shqiptare. Kemi të njëjtën gjuhë, një kujtesë të përbashkët dhe i përkasim të njëjtës hapësirë kulturore kombëtare”, tha ai.
Regjisori dëshiron që pas premierës në Varshavë filmi të shfaqet edhe para publikut shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Do të dëshiroja që ‘AGIA’ të shihej edhe në Maqedoninë e Veriut dhe që publiku shqiptar atje ta përjetonte jo si historinë e një vendi tjetër, por si pjesë të historisë sonë të përbashkët”, shprehet Terezi.
Edhe pse ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e viteve ’90, sipas tij, temat e filmit-liria, emigrimi, familja, kodi i nderit dhe përpjekja e gruas për të vendosur për jetën e vet-lidhen me një përvojë shumë më të gjerë shqiptare.
Pas Varshavës, ekipi synon që “AGIA” të vazhdojë rrugëtimin në festivale të tjera ndërkombëtare dhe më pas të takohet me publikun në gjithë hapësirën shqipfolëse.
“Shpresoj që një nga ndalesat e tij të afërta të jetë edhe Maqedonia e Veriut”, tha Terezi.
“AGIA” është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Qendra e Filmit të Malit të Zi, ndërsa projekti ka marrë mbështetje për zhvillim edhe nga SEE Cinema Network.
Filmi është bashkëprodhim mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Austrisë. Ai është prodhuar nga Tunnel Film, me producent Florenc Papas, dhe OnFilm Production, me producent Dritan Huqi, në bashkëpunim me Ivan Djurovic, Elly Senger-Weiss dhe Besnik Krapi.
Sipas Terezit, edhe vetë struktura e bashkëprodhimit tregon fuqinë e kinemasë për të lidhur kultura të ndryshme.
“Bashkëprodhimi me Malin e Zi dhe Austrinë dëshmon se kinemaja mund të ndërtojë ura komunikimi mes kulturave, duke e çuar një histori me rrënjë thellësisht shqiptare drejt një publiku shumë më të gjerë”, përfundoi ai.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Varshavës është themeluar në vitin 1985 dhe është festival ndërkombëtar konkurrues i akredituar nga FIAPF-International Federation of Film Producers Associations.