Ilir Butka: Filmi shqiptar po afrohet më shumë se kurrë me publikun
Në Tiranë po zhvillohet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, i cili këto ditë po hyn në fazën më intensive të programit, me projeksione filmash, takime me regjisorë, aktorë e producentë, si dhe aktivitete që synojnë ta afrojnë publikun drejtpërdrejt me botën e kinematografisë shqiptare, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i festivalit, Ilir Butka, në një prononcim për Portalb.mk, thotë se edicioni i sivjetmë po arrin kulmin e tij artistik, ndërsa si një nga veçantitë kryesore të festivalit veçon afërsinë që është krijuar mes kineastëve dhe publikut.
“Ndërkohë që kryeqyteti përjeton ditët më të nxehta, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar po udhëton drejt kulmit të tij artistik përmes ngjarjeve që do të mbeten gjatë në memorien e qytetit. Përvojën e këtij edicioni e bën unike afërsia e pazakontë mes krijuesve dhe artdashësve”, tha Butka.
Sipas tij, para çdo projeksioni të filmave të gjatë, regjisorët, aktorët dhe ekipet realizuese prezantohen para publikut, ndërsa pas shfaqjeve zhvillohen biseda dhe seanca pyetje-përgjigjesh. Në këtë mënyrë, spektatorët kanë mundësi të komunikojnë drejtpërdrejt me autorët dhe protagonistët e filmave, të mësojnë më shumë për skenarin, regjinë, teknikën e realizimit, mesazhet që përcjell filmi, por edhe për prapaskenat e produksionit.

“Kjo frymë ndërvepruese vazhdon edhe jashtë sallave, në Tirana Moon-Film Zone, përballë Universitetit të Arteve, ku prej 4 shtatorit çdo mbrëmje zhvillohen takime me institucionet, prezantime të regjisorëve, aktorëve dhe producentëve, si dhe intervista në këndin e dedikuar të podcast-it që transmetohen drejtpërdrejt në rrjetet sociale. Ne mendojmë se është bërë shumë pak për promovimin e kinematografisë dhe kineastëve tanë, ndaj këtë edicion i kemi kushtuar rëndësi të veçantë promovimit të tyre në YouTube, Facebook dhe Instagram. Gjithçka që realizohet do të mbetet aty edhe më tej, duke kompensuar një informacion që ka munguar prej kohësh”, tha Butka.
Mbi 100 filma në program
Programi i këtij edicioni përfshin mbi njëqind filma, të cilët shfaqen në katër hapësira kryesore në Tiranë – Sallën e Madhe dhe sallën Black Box në Universitetin e Arteve, si dhe në kinematë Agimi dhe Piramida
“Festivali mbështetet mbi një program të pasur prej mbi njëqind filmash. Nga ora dhjetë e mëngjesit deri në njëmbëdhjetë të darkës, pesë slote të rregullta mundësojnë zhvillimin e pandërprerë të shfaqjeve”, tha Butka.
Pjesën kryesore të programit e përbëjnë 39 filma të gjatë artistikë. Prej tyre, 12 mbajnë firmën e kineastëve me karrierë, 14 janë vepra të para, ndërsa 13 filma shfaqen jashtë konkurrimit. Programi përfshin gjithashtu filma të shkurtër, dokumentarë, filma të animuar dhe rreth 15 produksione të përzgjedhura në programin special.
Një nga ngjarjet e veçanta të këtij edicioni pritet të jetë premiera shqiptare e dokumentarit “Film di Stato” “Film i Shtetit”, të regjisorit Roland Sejko, që do të shfaqet më 10 shtator, në orën 21:00.
“Filmi, i shfaqur vitin e kaluar me sukses në Festivalin e Venecias, vjen në Tiranë jashtë konkurrimit zyrtar, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës”, theksoi drejtori i festivalit.

Festivali do të përmbyllet më 12 shtator me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni Shqiptar dhe në rrjetet sociale të festivalit.
Juritë, Akademia e Filmit dhe publiku vendosin për çmimet
Sipas Butkës, sistemi i vlerësimit artistik është ndërtuar mbi tri shtylla të pavarura-juritë zyrtare të ekspertëve, Akademinë e Filmit dhe vetë publikun.
“E para janë juritë zyrtare të ekspertëve, të cilat do të ndajnë 11 çmime kryesore. Filmi i gjatë gjykohet nga Bogdan Mureşanu, Blerta Zeqiri, Haig Zaharian, Raimonda Bulku dhe Ylljet Aliçka; filmi i shkurtër nga Erenik Beqiri, Harvey Ascott dhe Virxhil Muçi; dokumentari nga Esat Teliti, Fabrizio Bellomo dhe Përparim Kabo, ndërsa filmi i animuar nga Agron Mesi, Rikarda Nova dhe Ilir Kaso”, tha Butka.
Shtylla e dytë është Akademia e Filmit, ku rreth 40 kineastë profesionistë votojnë në mënyrë digjitale për 15 çmime teknike dhe artistike. Ndërkohë, një rol të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e fituesve ka edhe publiku, i cili përmes fletëve të votimit ose kodeve QR zgjedh pesë çmimet e preferuara.
Butka thotë se pikërisht karakteri gjithëpërfshirës është një nga elementet që e dallon edicionin e sivjetmë.
“Ajo që e bën këtë edicion vërtet të veçantë është karakteri i tij demokratik dhe përfshirës. Programi është ndërtuar në mënyrë që çdo grupmoshë të gjejë diçka për vete-nga animacionet për fëmijët dhe familjet, te veprat e para dhe filmat e shkurtër për të rinjtë e studentët, e deri te filmat e autorëve me karrierë dhe dokumentarët shoqërorë për publikun më të pjekur”, deklaroi ai.
“Festivali Kombëtar i Filmit kthehet kështu në një udhëtim emocional ku askush nuk mbetet thjesht vëzhgues, por bëhet pjesë e pandashme e historisë së këtij eventi kinematografik”, përfundoi Butka.