Kryeministri britanik Starmer pritet të shpallë vendimin për njohjen e shtetit palestinez
Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të njohë shtetin palestinez, dhe vendimi pritet të shpallet sot nga kryeministri Keir Starmer, raporton BBC, transmeton Portalb.mk.
Duke iu referuar burimeve qeveritare, mediat bëjnë të ditur se Starmer dhe ministrat e kabinetit të tij kanë arritur në përfundimin se situata në terren është përkeqësuar gjatë javëve të fundit dhe se do ta shpallin njohjen e Palestinës të dielën pasdite.
Starmer më herët kishte paralajmëruar se Mbretëria e Bashkuar planifikon ta njohë shtetësinë palestineze para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork këtë muaj, nëse Izraeli nuk i përmbush disa kushte që komuniteti ndërkombëtar i kërkon për përmirësimin e gjendjes humanitare në Gaza.
Gazeta londineze The Times më herët publikoi se Starmer kishte shtyrë shpalljen zyrtare për njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar deri pas përfundimit të vizitës së Trump në vend. Arsyeja e kujdesit ishte frika se kjo çështje mund të bëhej tema kryesore e konferencës për shtyp që kryeministri britanik dhe presidenti amerikan do të mbanin pas takimit të tyre në rezidencën e Starmer në Chequers.
Ndryshe, njoftimi se Mbretëria e Bashkuar planifikon të ndërmarrë të njëjtin hap si Franca, Australia dhe Kanadaja, të cilat kanë bërë të ditur se do ta njohin shtetin palestinez gjatë samitit të OKB-së, është pritur me reagim negativ nga Uashingtoni.