Skandal! Spital! Skandal!

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Ende pa marrë epilog tragjedia e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona, Spitali i Tetovës u përball me një skandal tjetër, e cila vetëm se nxori në pah gjendjen e katandisur të këtij institucioni.

Javën e kaluar ishim dëshmitarë të pamjeve të tmerrshme të xhiruara drejtpërdrejt dhe të shpërndara në TikTok nga një anesteziolog, në repartin gjinekologjik të Spitalit të Tetovës, ku shiheshin pacientë dhe staf mjekësor, për të cilat nuk mbeti kush pa e marrë vesh.

Vepër absolutisht e shëmtuar për të cilën duhet të ketë përgjegjësi dhe me të cilën institucionet po merren tani më. I njëjti është në paraburgim, prokuroria po vijon me procedurat, ndërsa kanë thënë se nëse ka edhe persona tjerë të përfshirë në këto vepra, edhe ndaj tyre do veprohet sipas ligjit.

Rrjetet sociale na kanë shndërruar në robotë, shpesh nuk mendohet dy herë ajo që nxirret aty. Kësisoj ishte edhe ky rast, parë nga dy anë të ndryshme. Vetë kryerësi i veprës dhe reagimi i opinionit publik.

Me të dalë në opinion ky rast, vërshuan komentuesit dhe ekspertët e “Fejsbukut”. Gjuha e urrejtjes në maksimum. Rasti ndezi fitilat në shoqëri, marrë parasysh faktin se jetojmë në një shoqëri maskiliste, ku morali konsiderohet mes asaj çfarë ka mes këmbëve të gruas, kjo ishte edhe një arsye më shumë që komentuesit filluan të shajnë dhe masakrojnë familjen, gruan dhe fëmijët e mjekut në fjalë. Madje duke shkelur edhe privatësinë e tyre duke publikuar fotografi të familjarëve. Thënë kjo me fjalë të tjera, kritiko veprimin e tjetrit duke bërë veprimin e njëjtë. Gjë kjo jo e parë për herë të parë në shoqërinë tonë.

Kryerësi i veprës patjetër se duhet të merr dënimin e merituar, por çfarë faji kanë familjarët e tij?! Pse duhet të shpërndahen fotografitë e tyre në rrjete sociale me mbishkrime të ndryshme?! Marrë parasysh se fëmijët që shpërndaheshin ende ishin në moshë të re? A mendoi kush për presionin psikologjik që po u shkaktonin atyre? Pavarësisht se mllefi kolektiv mund të jetë shumë i madh.

Për të thelluar ende më shumë skandalin, disa media nga ana tjetër shfrytëzuan rastin për senzacionalizëm duke komentuar dhe postuar detaje të panevojshme në lidhje me rastin dhe personin në fjalë që nuk i shërbejnë aspak opinionit publik, por vetëm e bënë këtë me tendencë që të nxisin komentuesit të komentojnë në pyetjet e parashtruara për disa komente dhe “llajka” më shumë.

Disa ditë më vonë, Spitali ku ndodhi ky rast, doli me rregullore për sjelljen e punëtorëve brenda institucionit dhe sanksionimin e sjelljeve të ngjashme dhe të tjerave. Edhe një herë pamë se duhet të ndodh diçka shumë e madhe që të merren vendime shumë të thjeshta, por pas bërjes së dëmit tani më.

Ky rast edhe një herë vrau shpresën dhe atë pak besim të mbetur në këtë institucion, aty ku është dera e fundit për shumë qytetarë ku kërkojnë shërim, por ky rast ishte “vrasës” për dikë.

Autoritetet e shëndetësisë dhe udhëheqësit e spitalit duhet që menjëherë të veprojnë për gjendjen në këtë institucion, pasi të njëjtët janë të vetëdijshëm për shumë parregullsi të tjera të cilat janë të pranishme aty, të mos presin që të ndodh diçka si kjo dhe të merren masa pasi të bëhet ndonjë dëm tjetër. Spitali në fjalë duhet urgjentisht të gjejë mekanizmat e duhur për të pasur në kontroll atë se çfarë ndodh brenda dhe jashtë atij institucion. Sepse shpesh po gazetarët në këtë institucion janë penguar të bëjnë punën e tyre, duke u ndaluar të xhirojnë pamje nga jashtë derisa brenda institucionit kërcet “live-ja”.

Kështu jo, nuk jemi në rrugën e duhur, kemi humbur orientimin në kopshtin tonë…