S’ka marrëveshje për dinarin, takimi i radhës më 4 prill

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë përfunduar pa ndonjë rezultat takimet në Bruksel për çështjen e dinarit serb, raporton Koha.net. Kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi pas takimit ka thënë se ka nevojë edhe për një takim tjetër javën që vjen. Sipas tij propozimet e palëve për çështjen e dinarit janë akoma larg njëra-tjetrës.

“U pa që ka një dallim të madh të propozimeve të të dyja palëve dhe pas disa bisedimeve u dakorduam se ka nevojë edhe për një takim të radhës për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhje apo jo” është shprehur Bislimi.

Ai ka deklaruar se mendon që pala kosovare ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit finalë pa u lënduar në asnjë moment Rregullorja e BQK-së dhe legjislacioni në fuqi.

Bislimi ka theksuar se në takimin e se hënës të dyja palët kishin për detyrë që t’i arsyetonin propozimet e tyre.

“Ne kemi komentuar propozimet e palës tjetër për të parë se në çfarë mase ato janë brenda kornizave për të cilat jemi dakorduar dhe pastaj kemi argumentuar secili për secilin nen të propozimit tonë, por pastaj gjatë bilateraleve është parë që ka ende nevojë për përafrim të qëndrimeve, andaj është dakorduar që të provohet edhe një takim gjatë javës së ardhshme”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka thënë se problemi nuk qëndron te simbolika që Serbia thotë se dinari është simbol i pranisë së Serbisë në Kosovë.

“Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolikë por e ka qytetarin në fokus kryesor, por unë kisha dashur që të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, është shprehur Bislimi.

Ai ka thënë se beson që nëse ka vullnet politik nga të dyja palët shumë lehtë mund të gjendet një zgjidhje në takimin e radhës.

E kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka akuzuar palën kosovare se nuk ka treguar “fare vullnet politik” për të arritur marrëveshje.

Ai ka thënë se me palën kosovare ka pasur diskutim afro tri orë e gjysmë e më pas është vendosur në takim me ndërmjetësuesit që rundi i radhës i diskutimeve të mbahet më 4 prill.