Emigrantët afrikanë do të vijnë gjatë muajit maj në Shqipëri

Kampi i emigrantëve në Lezhë mund të jetë gati në 20 maj. Qeveria italiane ka vendosur këtë datë për transferimin e grupeve që hyjnë ilegalisht nga Afrika dhe kërkojnë azil, raporton EN. Ministria e Brendshme në Itali ka publikuar tenderin për menaxhimin e mjediseve të pritjes, që do të ngrihen në Shqipëri, pas marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministrat Rama-Meloni, në nëntor të vitit 2023. Tashmë, ajo pret ofertat nga kompanitë vendase.

Marrëveshja parashikon ngritjen e 3 kampeve, me nga 1000 persona secili, ku do të ndalohen të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e pambrojtur.

Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit. Dy të tjerat do të vendosen në Gjadër, njëra njëzet kilometra në veri dhe një në brendësi të zonës.

Sipas planit të qeverisë italiane, në Shqipëri duhet të strehohen emigrantët e shpëtuar nga autoritetet italiane, të cilët tentojnë të shkojnë atje përmes detit.

Vlera e kontratës është rreth 34 milionë euro, të cilave duhet t’i shtohen rimbursimet për shërbimet e transportit, shërbimet komunale, grumbullimin e mbetjeve, mirëmbajtjen, lidhjen e internetit dhe kujdesin shëndetësor.

Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri, emigrantët nuk do të mund të dalin nga qendrat: nëse e bëjnë, do të kthehen nga autoritetet shqiptare.