Situata politike në Kosovë shfrytëzohet për të ushqyer narrativa të dhunës

Në ditët e fundit, disa kanale në Telegram të lidhura me narrativat nacionaliste pro-serbe e pro-ruse kanë publikuar postime me tone mobilizuese dhe kërcënuese, duke tentuar t’i ndërlidhin zhvillimet politike në Kosovë me mundësinë e një përshkallëzimi të ri të tensioneve. Postimet përpiqen të krijojnë narrativën sipas së cilës Kosova ndodhet në një moment dobësie politike, duke e interpretuar raportin mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurti për çështjen e presidentit si përçarje institucionale, shkruan Sbunker.

Në këtë kontekst, postimet përziejnë spekulime politike, glorifikim të figurave të dhunshme nga e kaluara dhe referenca të drejtpërdrejta ndaj sulmit terrorist në Banjskë, duke krijuar një diskurs që synon mobilizimin emocional të audiencës.

Spekulimet për “përçarje” mes Osmanit dhe Kurtit si moment dobësie

Në njërin postim është fotografia e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti nga Kuvendi i Kosovës me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në përshkrimin që shoqëron fotografinë pretendohet se marrëdhëniet mes dy liderëve janë prishur dhe se kjo përbën një moment të favorshëm për zhvillime të tjera në rajon. Teksti shoqërohet me gjuhë metaforike dhe provokuese, duke thënë se “kungulli midis ushtrisë dhe Kurtit ka plasur”, ndërsa përmend edhe zhvillimet globale si lufta në Lindjen e Mesme për të sugjeruar se po krijohen rrethana të reja gjeopolitike.

Postimi përfundon me një thirrje të koduar mobilizuese, duke e paraqitur situatën si një “mundësi”.

Në praktikë, kjo lloj narrative është e njohur në ekosistemin e propagandës në rajon ku zhvillimet e brendshme politike interpretohen si shenja dobësie institucionale, të cilat më pas përdoren për të ndërtuar narrativën se kundërshtari është i fragmentuar dhe i cenueshëm.

Një qasje e tillë është përdorur shpesh në diskursin propagandistik rreth Kosovës, sidomos në mediat dhe kanalet pro-serbe dhe pro-ruse që synojnë të krijojnë perceptimin e një shteti të brishtë institucionalisht.

Aludimet për “pjesën e dytë” të sulmit në Banjskë

Postimi tjetër përmban një referencë të shkurtër por simbolikisht të rëndë: “Друго полувреме” (Pjesa e dytë).

Ky mesazh shoqëron me një fotografi të Milan Radoiçiqit, i cili kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Në atë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa grupi i armatosur serb u përball me policinë e Kosovës në njërin prej sulmeve më serioze të sigurisë në veri të vendit që nga paslufta.
Në kontekstin e Telegramit, fraza “pjesa e dytë” interpretohet si një aludim për vazhdimin e asaj që ndodhi në Banjskë. Kjo përforcohet edhe nga komentet poshtë postimit, ku një përdorues shkruan“Komandant, vetëm thuaj”.

Këto komente përbëjnë një element të rëndësishëm të analizës së komunikimit në rrjete sociale si dhe tregojnë se mesazhi nuk është vetëm simbolik, por edhe mobilizues, duke krijuar një atmosferë mbështetjeje për figura dhe veprime që lidhen me dhunën politike.

Glorifikimi i Arkanit

Një tjetër postim në të njëjtin kanal glorifikon figurën e Zeljko Raznatoviq – Arkan, lider i njësisë paramilitare serbe “Tigrat e Arkanit”, e cila ishte aktive gjatë luftërave në ish-Jugosllavi dhe është akuzuar për krime të shumta lufte.

Postimi përfshin një këngë nacionaliste dhe një tekst emocional që i referohet “vëllezërve nga Brigada Veriore dhe Garda Vullnetare Serbe”, duke thënë se një ditë ata do të “kthehen për t’u hakmarrë”.

Teksti i postimit përmend në mënyrë eksplicite hakmarrjen ndaj shqiptarëve për gjoja “poshtërimet që u janë bërë serbëve në Kosovë”, ndërsa u bën thirrje ndjekësve ta ruajnë këngën sepse do të bëhet simbol.

Ky lloj diskursi përfaqëson një formë të romantizmit të figurave paramilitare nga luftërat e viteve 1990 dhe përdoret shpesh në narrativat nacionaliste për të krijuar vazhdimësi simbolike mes të kaluarës dhe tensioneve aktuale politike.

Telegram është shndërruar në platformë të rëndësishme për përhapjen e narrativave të tilla, sepse ofron më pak moderim dhe krijon komunitete të mbyllura ku mesazhet radikalizuese mund të qarkullojnë më lehtë.

Kërcënimet e Aleksandër Vulinit dhe referencat ndaj Mossad-it

Postimet në Telegram vijnë në një kontekst më të gjerë të retorikës kërcënuese nga figura politike në Serbi.

Ish-drejtori i Agjencisë serbe të inteligjencës (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë një interviste ka deklaruar se Serbia duhet të ndjekë modelin e Izraelit dhe të Mossad-it për t’u marrë me individë që ai i cilëson si bartës të politikave “antiserbe”.

Ai ka sugjeruar që shërbimet serbe të hartojnë plane konkrete për t’u marrë me këta individë, duke theksuar se “Serbia di si t’i bëjë këto punë”.

Në kontekstin e marrëdhënieve të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, ato marrin një dimension edhe më serioz, pasi përmendin drejtpërdrejt liderët e Kosovës.

Vulin është i njohur për retorikën e tij pro-ruse. Në vitin 2023 ai u vendos në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për shkak të lidhjeve me rrjete kriminale dhe aktorë rusë të inteligjencës:

Reagimet në Kosovë dhe paralajmërimet për rrezikun e retorikës së dhunshme

Deklaratat e Vulinit kanë shkaktuar reagime të menjëhershme në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga ndërkombëtarët që t’i kushtojnë vëmendje këtyre deklaratave, duke i cilësuar ato si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, krahasimi me operacionet e Mossad-it përbën një përpjekje për të normalizuar logjikën e operacioneve sekrete si mjet presioni dhe destabilizimi në Ballkan.

Në reagimin e tij ai ka përmendur edhe një incident të ndodhur në shkurt, kur në Kosovë u arrestuan dy shtetas të Bjellorusisë dhe një rus që kishin hyrë ilegalisht në territorin e vendit dhe posedonin pajisje që mund të përdoren për operacione të fshehta, si mjete për orientim dhe kamuflim.

Kombinimi i postimeve mobilizuese në Telegram, glorifikimi i figurave të dhunshme nga e kaluara dhe retorika kërcënuese nga figura politike, krijon një ekosistem narrativash që ka për qëllim të nxisë tensione dhe të normalizojë diskursin e dhunës në raport me Kosovën.