“Jo në emrin tim!”, në Shkup u protestua kundër dënimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë (Video)

Sot në Shkup, në sheshin “Skënderbeu” u zhvillua protestë me moton “Jo në emrin tim!”, lidhur me zhvillimet dhe proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, raporton Portalb.mk.

Arben Mustafa, përfaqësues i familjarëve të dëshmorëve tha se vendimi i Gjykatës së Hagës ndaj krerëve të UÇK-së është i padrejtë.

“Jemi këtu për të ngritur zërin për ata ë lufftuan që Kosova sot të jetë shtet i pavarur… UÇK-ja luftoi për mbrojtjen e popullit shqiptar, luftoi kundër agresorit serb. Populli shqiptar në Kosovë ishte viktimë. Prandaj është e padrejtë që në këtë rast të dënohet viktima dhe të lihet nën hije agresori”, tha Mustafa.

Teuta Ajeti Bekteshi, ish e burgosur politike në fjalën e saj tha se gjykatat eksperimentale, të njëanëshme, që fshehin, mohojnë dhe sulmojnëme të gjitha mjetet dhe mënyrat, që të zhbëjnë të vërtetën, janë të padrejta.

“Është hipokrizi dënimi i çlirimtarëve në emër të popullit të Kosovës, cili popull dënon fëmijët e tij, aq më pak populli shqiptar”, tha ajo.

Përfaqësuesi i studentëve, Jon Selimi tha se nuk e zhbën asnjë gjykatë sakrificën kombit shqiptar.

“Jo në emrin tim, sepse familjet tona e kanë jetuar atë kohë, e dinë çfarë ka ndodhur, ne nuk do ta harrojmë, çlirimtarët janë forca e një populli. UÇK-ja mbetet hija e çdo shqiptari. Liri për çlirimtarët”, tha Selimi.

Fexhri Asipi nga këshilli organizativ i protestës tha se do të protestohet edhe në qytetet tjera në Maqedoninë e Veriut.

“Ne si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut kemi protestuar do ditë në Kosovë,morëm vendim që të protestojmë në Maqedoni, e nisëm nga Shkupi dhe do vazhdojmë në gjithë qytetet e Maqedonisë. Do njoftoheni në kohë. Partitë politike të na bashkohen, këtu nuk ka të bëjë politika por këtu ka të bëjë kombi, sepse kombi është në rrezik, nuk është politika”, tha Asipi.

Rafiz Aliti në fjalën e tij theksoi se gjykata speciale u themelua me motive politike dhe e sponsorizuar nga Moska dhe Beogradi dhe disa shtete evropiane, kishte qëllim për të njollosur luftën e pastër të UÇK-së.

“Solli shumë vendime të padrejta dhe me motive politike, pa asnjë argument dënoi krerët e UÇK-së dhe shtetin e Kosovës”, tha Aliti.

Dhoma e Specializuar e Hagës më 16 shtator dënoi me burgime shumëvjeçare ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, duke i shpallur fajtorë për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet burg, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg.

Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar bënë thirrje që të pranohet dhe respektohet aktgjykimi i Hagës, me të cilin drejtuesit e ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u dënuan me burgime të gjata për krime lufte të kryera gjatë luftës së Kosovës për pavarësi në vitet 1998 dhe 1999.