Sipas shembullit të Shqipërisë, BDI formoi mekanizëm antikorrupsion në Çair, VLEN i bën thirrje për ekstradimin e Grubit

Duke ndjekur shembullin e Shqipërisë, e cila nga fundi i vitit 20219 ka Strukturë të Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që nga fundi i vitit 2019, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë  ka formuar dje SPAK (Sekretariat për Parandalimin dhe Antikorrupsion) lokal në Çair të Shkupit, qëllimi i të cilit, sipas partisë, është të analizojë të gjitha indikacionet e korrupsionit dhe keqpërdorimit të fondeve publike në komunën e Shkupit, transmeton Portalb.mk.

“SPAK do të funksionojë me monitorim të vazhdueshëm, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Qytetarët do të jenë në gjendje të raportojnë çdo dyshim për korrupsion përmes një platforme online dhe një linje të hapur, me garanci të plota për mbrojtjen e identitetit. Çdo rast i analizuar dhe i dokumentuar do të bëhet publik, dhe rastet me bazë ligjore do të përpunohen gjithashtu në institucionet kompetente”, tha BDI.

VLEN në pushtet reagoi ndaj këtij njoftimi të BDI-së, duke u bërë thirrje anëtarëve të organit të sapoformuar antikorrupsion që së pari të hetojnë udhëheqjen e vet.

“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u lokal”, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? Sepse korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arber Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.

Së pari, sipas koalicionit qeverisës, organi i sapoformuar i BDI-së duhet të kontaktojë SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit, i cili është në arrati për më shumë se një vit.

“VLEN e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit, simbol i arrogancës dhe abuzimit të pushtetit.  Nëse ky SPAK është serioz, le të provojë të hetojë të paprekshmit e vet. Vetëm atëherë qytetarët do ta besojnë se transparenca nuk është fasadë, por realitet. Deri atëherë, kjo mbetet një shfaqje tallëse, një “SPAK për Facebook” dhe jo për drejtësi”, thuhet në reagimin e VLEN-it.