Realiteti në terren demanton ‘Higjienën Komunale’: Sheshi ‘Skënderbeu’ i ngulfatur në mbeturina, nuk janë pastruar

Pavarësisht se Ndërmarrja Publike Komunale ‘Higjiena Komunale’ thotë se pastrimi i mbeturinave te Sheshi ‘Skënderbeu’ bëhet rregullisht dhe shportat zbrazen çdo ditë, realiteti në terren tregon të kundërtën, mbeturinat nuk janë pastruar ende, njëjtë si para dy ditëve kur raportoi Portalb.mk.

Nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” sot për Portalb.mk theksuan se Sheshi “Skënderbeu” pastrohet çdo ditë dhe zbrazen shportat, duke ruajtur higjienën publike.

“NP “Higjiena Komunale” Shkup çdo ditë, përmes realizimit të fshirjes manuale dhe mekanike, e mirëmban higjienën publike në zonën e Sheshit “Skënderbeu” dhe Çarshisë së Vjetër të Shkupit. Njëkohësisht, ekipet e ndërmarrjes çdo ditë i zbrazin shportat për mbeturina të imta të vendosur në zonën e përmendur dhe e largojnë mbeturinën komunale nga subjektet ekonomike të vendosura në Çarshinë e Vjetër”, thanë nga NP “Higjiena Komunale”.

Megjithatë terreni flet ndryshe, Portalb.mk verifikoi se mbeturinat e hedhura ende nuk janë pastruar.

Në lidhje me këtë çështje, sot kemi njoftuar dhe kërkuar informacione edhe nga Komuna e Çairit, por pa përgjigje.

As nga Komuna Qendër nuk u përgjigjen në pyetjet gazetareske.

Sheshi "Skenderbeu" në Shkup. Foto nga Portalb.mk (16.02.2026)
Sheshi “Skenderbeu” në Shkup. Foto nga Portalb.mk (16.02.2026)

Ndryshe, më 14 shkurt, Sheshi “Skënderbeu” në Shkup nuk ngjante më një sheshi të mirëmbajtur. Mbeturinat ishin hedhur në tokë dhe në qoshe nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Portalb.mk vërejti se ka mungesë të shportave.

Kujtojmë se nga 17 nëntori 2025, në Shkup hyri në fuqi vendimi që ndalon hedhjen e mbeturinave nga ora 22:00 deri në 06:00, për të rregulluar menaxhimin e mbeturinave dhe për të parandaluar keqpërdorimin e kontejnerëve. Vendimi erdhi pas përkeqësimit të kushteve higjienike në qytet para zgjedhjeve lokale, kur Shkupi u stërmbush me mbeturina përderisa kryetare ishte Danella Arsovska.