Kompania kineze “Sinohydro” do të vazhdojë me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër

Deklaratat e nëntorit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski se ka mundësi të shkëputet kontrata me kompaninë kineze “Sinohydro” për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër nuk u realizuan. Në seancën e sotme qeveria vendosi të nënshkruajë një aneks të kontratës me kontraktorin për shtyrjen e afatit të punimeve të ndërtimit, por nuk do të ketë borxh të ri financiar për zgjatjen dhe njëkohësisht ndërtimi i autostradës do të vazhdojë të realizohet, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria autorizoi Kabinetin e Zëvendës kryeministrit të Qeverisë për çështjet ekonomike, Ministrinë e Transportit dhe Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, që të fillojnë negociatat me kontraktorin, për të përfunduar një aneks të kontratës, për të zgjatur afatin e realizimit, duke shfrytëzuar mjetet financiare tashmë të siguruara për përfundimin e autostradës Kërçovë – Ohër. Njëkohësisht, performanca e seksionit do të vazhdojë të zbatohet në vazhdimësi”, thuhet në njoftimin e qeverisë pas seancës së sotme.

Afati për përfundimin e ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Në nëntor, kryeministri Kovaçevski deklaroi se është e palejueshme që deputetët në Kuvend të shqyrtojnë edhe një herë vazhdimin e afatit për performancë dhe se duhet të mendojnë për ndërprerjen e kontratës me kinezen “Sinohydro”. Më pas ai paralajmëroi një rishikim të të gjithë projektit mbi bazën e të cilit do të merret vendimi.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar Informatat për Marrëveshjen për ndërtimin e autostradës A2, pjesa Kërçovë-Ohër, dhe ka konfirmuar se ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër është prioritet.

“Edhe Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, është e vendosur që të vazhdojë me përfundimin e tij, si pjesë e Korridorit Evropian 8”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Vendimi i qeverisë është marrë pas informacionit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, në bazë të konstatimeve të dorëzuara nga mbikëqyrja kryesore dhe mbikëqyrja e tunelit, se për arsye reale ka nevojë për shtyrje të afatit, 31 dhjetor 2023, për kryerjen e punimeve të ndërtimit në këtë autostradë, duke pasur parasysh faktin e nivelit të lartë të punimeve të kryera fizikisht dhe çështjeve të hapura.

Ajo që do të vijojë është përgatitja e aneksit të ardhshëm të marrëveshjes, si dhe përcaktimi i afatit të ri për ndërtimin e autostradës. Aneksi i marrëveshjes do të duhet të miratohet nga Kuvendi i RMV-së në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi. Gjithashtu, përveç procedurës së përgjithshme, në periudhën në vijim do të duhet të vijojë një riprojektim i ri i 11 rrëshqitjeve të tokësa përgjatë trasesë. Kjo do të thotë se projektuesit do të duhet të punojnë në këto pjesë të trasesë së pari dhe më pas do të përfshihet kontraktori në punë.

Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër ka filluar në fillim të vitit 2014, me dokumentacion projektues që është konstatuar se ka mangësi të shumta në projektim edhe gjatë ndërtimit. Afati fillestar për përfundimin e këtij seksioni të autostradës ishte viti 2018 dhe deri tani ka “ngrënë” 600 milionë euro investime.