Sindikatat e pesë universiteteve e përgënjeshtruan Talat Xhaferin

Përmes një letre publike të nënshkruar nga udhëheqësit, pesë sindikatat që vijnë nga universitetet e ndryshme në Maqedoninë e Veriut e kanë demantuar kryeministrin teknik Talat Xhaferi në lidhje me arsyet e mosnënshkrimit të Marrëveshjes Kolektive, transmeton Portalb.mk.

“Në emër të së vërtetës, ua dërgojmë këtë demant ndaj pretendimeve në konferencën e sotme për shtyp të kryeministrit teknik Talat Xhaferit lidhur me mosnënshkrimin e marrëveshjeve kolektive të pesë universiteteve publike”, thuhet në letrën publike.

Në letër sqarohet që universiteti “Shën Kliment Ohdriski”, “Goce Dellçev”, Universiteti i Tetovës, “Nënë Tereza” dhe “Shën Apostol Pavle” kanë përgatitur në kohë dokumentet për marrëveshjen kolektive, dokumente që ishin dërguar në Kuvendin e RMV-së prej majit deri në dhjetor të vitit të kaluar.

“Në fillim të dhjetorit kemi dërguar një letër gjer te kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në shenjë të rikujtimit të nënshkrimit të marrëveshjeve kolektive. Pra, ia kemi tërhequr vëmendjen se po skadon afati për nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive. Gjatë muajit shkurt të këtij viti u vu në zbatim realizimi i Marrëveshjes Kolektive me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup dhe u bë pagesa e pagave sipas Marrëveshjes së re Kolektive”, shkruan në letër.

Sindikalistët theksojnë që dokumentacionet si dëshmi janë shfaqur edhe në takimin që kanë pasur me kryetarin aktual të Kuvendit, Jovan Mitreski. Ndërkohë kryeministri teknik Talat Xhaferi akoma nuk i ka takuar, përkundër kërkesës së sindikatave.

“Edhe njëherë duam ta theksojmë përmasën qytetare të aktivizmit sindikalist të sindikatave të të punësuarëve në pesë universitetet publike dhe distancimin nga çfarëdo qoftë ndikimi politik, në veçanti kur kihet parasysh periudha parazgjedhore në të cilën zhvillohet edhe kjo përpjekje sindikaliste, jo me fajin dhe përzgjedhjen e sindikatave, por për shkak të mungesës së dëshirës dhe vullnetit të Kuvendit dhe Qeveris”, theksuan sindikalistët.

Ndryshe, kryeministri teknik Talat Xhaferi thotë se këto universitete nuk ishin të diskriminuara, por nuk kishin krijuar me kohë sindikatat dhe për këtë arsye nuk ishte e mundur të nënshkruhet kontrata kolektive me ta. Ai ka vlerësuar që protestat e profesorëve janë me motive politike.

Punonjësit në universitetin më të vjetër shtetëror në Maqedoninë e Veriut “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, nga shkurti marrin paga më të larta mesatarisht për rreth 22 përqind, ndërsa në formë retroaktive do t’ju paguhet edhe dallimi për muajin janar.