Profesorët deputetë të BDI-së protestuan para UT-së me Sindikatën për rroga më të mëdha (VIDEO)

Punonjësit e Universitetit të Tetovës sot protestuan për shkak të mosnënshtrimit të Marrëveshjes Kolektive nga Parlamenti për rritjen e rrogave si në Universitetin Shën “Kirili dhe Metodi”. Sindikata e UT-së kërkoi nënshkrimin e Marrëveshjes kolektive para shpërbërjes së parlamentit. Protestuan edhe profesorët deputetë nga e BDI-ja të cilët janë pjesë e Qeverisë dhe shumicës në Parlamentin e RMV-së, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Sindikatës së UT-së , Shefket Dehari theksoi se sindikatat janë të bashkuara dhe ndajnë mendimin e njëjtë se pesë universitetet publike tjera janë injoruar dhe diskriminuar nga Parlamenti dhe Qeveria e RMV-së, duke mos nënshkruar Marrëveshjen kolektive për llogaritjen e pagave sipas kësaj marrëveshjeje.

“Këto institucione janë duke aplikuar standarde të dyfishta, diskriminim dhe pabarazi me pesë universitetet tjera publike në vend, sepse në RMV vlen ligji i njëjtë i arsimit të lartë për të gjithë universitetet, prandaj edhe të ardhurat e të punësuarve duhet të jenë ekuivalente”, tha Deari.

Ata kërkuan që nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive të bëhet para shpërbërjes së Parlamentit dhe Qeveria të zbatojë Marrëveshjen Kolektive duke i llogaritur të ardhurat e të punësuarve sipas koeficienteve të paraparë në të.

Deari informoi se gjatë kohës së mbajtjes së protestës morën informatën nga grupi parlamentar i BDI-së, LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

“Ata e kanë dorëzuar kërkesën për ndryshimin e arsimit sipëror me procedurë të përshpejtuar. Ne shpresojmë që ky ligj të miratohet para shpërbërjes së Parlamentit, nëse ky ligj vjen para shpërbërjes së parlamentit atëherë ne jemi në rregull”, tha Deari.

Sot protestuan gjithashtu edhe sindikatat e universiteteve tjera publike në vend: “Goce Dellçev”- Shtip, Universiteti i Tetovës, “Shën Kliment Ohridski”- Manastir, “Nënë Tereza” – Shkup, “Shën Apostol Pavle”- Ohër.

Sindikatat paralajmëruan se nëse nuk gjendet zgjidhje do të vazhdojnë me protesta.

Ndërkaq në protestën në Tetovë u panë edhe tre profesorët deputetë të BDI-së të cilët janë pjesë e shumicës në Parlament dhe e Qeverisë, Arbër Ademi, Fisnike Bekteshi Shaqiri dhe Arta Bilalli Zendeli.

Arbër Ademi, Fisnike Bekteshi Shaqiri dhe Arta Bilalli Zendeli në protestën para UT-së për nënshrkimin e Marrëveshjes kolektive. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Arbër Ademi, Fisnike Bekteshi Shaqiri dhe Arta Bilalli Zendeli në protestën para UT-së për nënshrkimin e Marrëveshjes kolektive. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ademi tha se ata punojnë në këtë universitet dhe solidarizohen me një protestë të këtillë, por edhe se do ofrojnë zgjidhje.

“Gjithashtu, ne sot në mëngjes kemi dorëzuar propozim-ligj për plotësim të ligjit për arsimin e lartë me çka do të kemi unifikim të pagave në nivel nacional të të gjithë universiteteve publike”, tha Ademi.

Ai tha se pengesë ligjore është se në bazë të Kodit Zgjedhor që kryetari i Kuvendit edhe pse dëshiron nuk do të mund të lidhë Marrëveshje kolektive në këtë fazë pasi janë shpallur zgjedhjet.

“Shpresoj që nesër më së voni pasnesër të kemi seancë të posaçme ku do të procedojmë propozim-ligjin”, tha Ademi i cili theksoi se kjo problematikë pritet të zgjidhet me ligj.

Në lidhje me protestën reaguan nga VLEN (Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike) thanë se BDI me politikat e saj destruktive dhe anti-shqiptare, nxori në rrugë elitën intelektuale shqiptare, duke u përpjekur ti nënshtrojë e poshtërojë.

“Sot profesorët e universiteteve shqiptare dolën në protestë pasi u ndjenë të poshtëruar karshi profesorëve të Universitetit “Kirili dhe Metodij” dhe atë nga dora e BDI-së, kryeministrit teknik Talat Xhaferi e nga Jeton Shaqiri. BDI u rriti pagat profesorëve maqedonas, por nuk e bërë këtë për profesorët shqiptarë. E tani kur ata u ngritën në protestë përpiqen ta mbulojnë këtë poshtërim ndaj intelektualëve shqiptarë me arsyetime të ndryshme e gjoja me zgjidhje të kësaj çështje”, thanë nga VLEN.

Me 28 shkurt 2024 Qeveria e vendit miratoi nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive të Lidhjes së Sindikatave të Punonjësve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Punonjësit në universitetin më të vjetër shtetëror në Maqedoninë e Veriut „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, nga shkurti do të marrin paga më të larta mesatarisht për rreth 22 përqind, ndërsa në formë retroaktive do t’ju paguhet edhe dallimi për muajin janar.