Sindikata e të punësuarve në prokurori dhe gjykatë u pajtuan me ministrin Lloga në lidhje me kërkesat e tyre për pagat

Punonjësit e prokurorisë dhe gjykatës që po protestojnë për rritjen e rrogës deri 78 përqind, sot janë takuar me ministrin për drejtësi, Krenar Lloga, duke u pajtuar për nisjen e negociatave rreth kërkesës së tyre, transmeton Portalb.mk.

“Pas grevës së filluar në prokuroritë publike dhe protestës së sotme të punonjësve të gjyqësorit në Shkup, me ftesë të Ministrit për Drejtësi, zotëri Krenar Lloga, përfaqësuesit e Sindikatës në detaje e njoftuan ministrin me kërkesat e të punësuarve nga prokuroria dhe gjyqësori”, njoftojnë nga Sindikata.

Ata morën premtim nga ministri se kërkesa e tyre do të dërgohet në Qeveri që të përfshihet si rend dite në seancën e radhës të Qeverisë. Sindikalistët theksojnë që së bashku me Ministrin e Financave dhe zëvendëskryeministrin për çështje ekonomisë do të formojnë një këshill për negociata me përfaqësuesit e sindikatës për të gjetur zgjidhje për rritjen e pagës për 78 % dhe kthimin e shtesës së rrogës.

Ndryshe, sot në Shkup janë organizuar dy protesta nga ana e administratës gjyqësore, me kërkesë për rritje të pagave prej 78%. Njëra protestë organizohet nga Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore, ndërsa tjetra nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Degëve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve. Dy protestat u organizuan në lokacione të ndryshme, gjegjësisht para Gjykatës Penale, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave, selisë së qeverisë dhe Kuvendit të RMV.

Greva po zbatohet në 28 prokuroritë e vendit dhe do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa gjatë grevës do të kryhen vetëm punë urgjente.

Të punësuarit në administratën gjyqësore në tërë vendin që nga muaji maj paralajmëruan grevë të bardhë, që do të thotë se të gjithë të punësuarit, procesverbalistët, zyrtarët dhe të punësuarit tjerë do të shkojnë në punë, por s’do ta japin maksimumin e tyre.

Pas mospërfilljes së kërkesave të tyre, Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore (SPASh) dhe Sindikata e Pavarur e Shërbimit Gjyqësor mbajti një protestë, me të cilën u paralajmëroi se nëpunësit gjyqësorë do të fillojnë grevë prej me 1 shtator. Më 12 shtator u realizua edhe një protestë tjetër, kurse dje filloi greva.