Protesta në Shkup, administrata gjyqësore kërkoi rritje të pagave

Sot në Shkup janë organizuar dy protesta nga ana e administratës gjyqësore, me kërkesë për rritje të pagave prej 78%. Njëra protestë organizohet nga Sindikata e Pavarur e Administratës Gjyqësore, ndërsa tjetra nga Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Degëve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve. Dy protestat u organizuan në lokacione të ndryshme, gjegjësisht para Gjykatës Penale, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave, selisë së qeverisë dhe Kuvendit të RMV, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Degëve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (ADShQ) njoftoi se administrata gjyqësore është e pakënaqur me lartësinë e pagave të tyre.

“Edhe një herë nëpunësit gjyqësor janë në rrugë. Në fillim të pushimit gjyqësor, vetëm gjykatat e Shkupit dolëm në protestë dy orëshe dhe kërkuam rritje të pagave prej 78%, si dhe kthimin e shtesave të pagave, ashtu siç e kanë zyrtarët”, tha kryetari i ADShQ-it, Trpe Deanoski.

Deanoski tha se nga 2,000 të punësuar në gjykata, në protestën e sotme në Shkup erdhën 1,000 të punësuar dhe se këto të dhëna duhet të jenë mesazh i mjaftueshëm për organet përkatëse.

“Puna në gjykata është ekipore, nëse një punonjës nuk e bën punën e tij, gjyqtari nuk do të mund të marrë vendim. Javën e ardhshme kolegët nga prokuroria e shtetit kanë shpallur grevë, kolegët e prokurorisë dje kanë nisur grevë”, shtoi ai, duke paralajmëruar se do të ngrijë e gjithë drejtësia.

Protesta e sotme vjen pasi dje administrata, në prokuroritë publike në të gjithë vendin, njoftoi se ka nisur greva për paga më të larta. Rritje të të ardhurave mujore me 78%, siç u është mundësuar zyrtarëve, kërkojnë edhe punonjësit e prokurorive, si dhe kthimin e 35% të shtesave të pagave.

Greva po zbatohet në 28 prokuroritë e vendit dhe do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa gjatë grevës do të kryhen vetëm punë urgjente.

Të punësuarit në administratën gjyqësore në tërë vendin që nga muaji maj paralajmëruan grevë të bardhë, që do të thotë se të gjithë të punësuarit, procesverbalistët, zyrtarët dhe të punësuarit tjerë do të shkojnë në punë, por s’do ta japin maksimumin e tyre.

Pas mospërfilljes së kërkesave të tyre, Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore (SPASh) dhe Sindikata e Pavarur e Shërbimit Gjyqësor mbajti një protestë, me të cilën u paralajmëroi se nëpunësit gjyqësorë do të fillojnë grevë prej me 1 shtator. Më 12 shtator u realizua edhe një protestë tjetër, kurse dje filloi greva.