Siljanovska-Davkova për letrën e Georgievit: Gjykatat kushtetuese nuk janë nën juridiksionin e politikanëve fqinjë

Është e pakëndshme të komentoj deklarata të tilla, ashtu siç është e pakëndshme të komentosh për punën e një gjykate kushtetuese. Kjo u deklarua sot nga Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, kur iu kërkua të komentonte mbi letrën që kreu i diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, u dërgoi kolegëve të tij ministra të BE-së, transmeton Portalb.mk.

Siljanovska-Davkovës iu kërkua posaçërisht të komentonte mbi akuzat e Georgievit në të cilat ai e vlerësoi si provokim të panevojshëm iniciativën e paraqitur së fundmi në Gjykatën Kushtetuese në vend për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Protokollit të takimit të dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë.

“Gjykatat kushtetuese janë jashtë ndarjes së pushteteve brenda shtetit dhe sigurisht që nuk janë nën juridiksionin e politikanëve fqinjë. Nëse dikush ka filluar një procedurë në Gjykatën Kushtetuese, gjykata do të vendosë nëse ka baza për vazhdimin e saj dhe vendimet e gjykatave kushtetuese si në Bullgari ashtu edhe në Maqedoni janë përfundimtare, të zbatueshme dhe nuk i nënshtrohen komentit”, tha Siljanovska-Davkova në përgjigje të pyetjeve gazetareske.

Deklarata e presidentes i referohet letrës që Ministri i Jashtëm bullgar, Georgi Georgiev, u dërgoi ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, në të cilën shprehu shqetësim për, siç thotë ai, refuzimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut për të zbatuar Marrëveshjen me Bullgarinë dhe për të përmbushur detyrimet e saj të miratuara në nivel të Unionit.

Në letër, ai vlerësoi më tej si një provokim të panevojshëm iniciativën e paraqitur së fundmi në Gjykatën Kushtetuese të vendit për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Protokollit nga takimi i dytë i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar me Bullgarinë nga 17 korriku 2022 në Sofje.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut vazhdimisht ka përsëritur se vendi nuk do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për sa kohë që nuk ka garanci se Bullgaria nuk do të vendosë kushte të tjera. Kjo e fundit ka përsëritur se kushtet e vëna në marrëveshje janë të fundit dhe se të njëjtat duhet të respektohen.

Maqedonia e Veriut po pret lëvizje nga Bullgaria mbi propozimin për të hartuar një rezolutë të përbashkët që do të konfirmonte veçantinë e identitetit dhe gjuhës maqedonase në Parlamentin Evropian.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.