Gjykata Kushtetuese e RMV-së promovoi platformën kundër dezinformimit, “Zbulo FAKTET”
Gjykata Kushtetuese nga sot vë në përdorim platformën e re të komunikimit “Zbulo FAKTET nga Gjykata Kushtetuese”, e cila është e dedikuar për informim në kohë, të saktë dhe zyrtar të qytetarëve, mediave dhe publikut të gjerë, transmeton Portalb.mk.
Siç njoftojnë nga Gjykata, platforma është krijuar si pjesë e angazhimeve për më shumë transparencë, hapje dhe qasje më të lehtë në informacionet me interes publik. Qëllimi i saj është të sigurojë fakte të verifikuara dhe sqarime për punën e Gjykatës, procedurat, vendimet dhe kompetencat, si dhe të kontribuojë në luftën kundër dezinformatave, spekulimeve dhe lajmeve të rreme që lidhen me punën e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë shtuar në periudhën e fundit.
“Përmes ‘Zbulo FAKTE’T, Gjykata forcon komunikimin e saj proaktiv me publikun, duke siguruar një vend ku faktet do të jenë të qasshme dhe lehtë të kuptueshme. Platforma do të përmbajë informacione të sakta dhe zyrtare, sqarime të vendimeve dhe procedurave, dallim mes fakteve dhe spekulimeve, si dhe shpjegime të thjeshta për çështje kushtetuese-juridike”, theksojnë nga Gjykata Kushtetuese.
Përveç përmbajtjeve aktuale, platforma do të publikojë edhe të dhëna për Gjykatën, organizimin dhe kompetencat e saj, vendime të rëndësishme nga praktika kushtetuese-gjyqësore, si dhe fakte interesante nga historia e Gjykatës Kushtetuese dhe zhvillimi i sistemit kushtetues. Sipas Gjykatës, në këtë mënyrë “Zbulo FAKTET” do të shërbejë edhe si hapësirë edukative që do të kontribuojë në ngritjen e kulturës publike dhe juridike, si dhe në kuptimin më të mirë të rolit të Gjykatës në mbrojtjen e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut.