Si u bënë “Djemtë e Delvinës” pjesë e filmit “The Odyssey” të Christopher Nolanit
Grupi polifonik “Djemtë e Delvinës” është bërë pjesë e kolonës zanore të filmit “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan, përmes një regjistrimi të realizuar rreth një vit më parë me kompozitorin fitues të çmimit Oscar, Ludwig Göransson, shkruan Portalb.mk.
Regjistrimet janë realizuar në Teqenë e Kuzum Babasë në Vlorë, ku kanë marrë pjesë edhe disa grupe të tjera të këngës polifonike shqiptare. Anëtarët e grupit tregojnë se në atë kohë nuk ishin në dijeni se për cilin projekt kinematografik do të përdoreshin interpretimet e tyre.
Nga grupi polifonik “Djemtë e Delvinës”, për Portalb.mk, deklaruan se fillimisht nuk e dinin arsyen e regjistrimeve dhe as faktin se zërat e tyre do të përfshiheshin në një prej filmave më të shumëpritur.
“Në radhë të parë, ne nuk e dinim se përse po bëheshin ato regjistrime. Ludwig kishte regjistruar edhe grupe të tjera të këngës labe, por, siç duket, zërat e grupit tonë, ‘Djemtë e Delvinës’, i kanë pëlqyer atij”, deklaruan nga grupi.
Sipas tyre, secili grup kishte në dispozicion nga një ditë për regjistrim, ndërsa kompozitori kishte kërkuar interpretimin e pjesëve të caktuara, në përputhje me konceptin muzikor të filmit.
Anëtarët e grupit e përshkruajnë bashkëpunimin me Göranssonin si të ngrohtë dhe profesional, duke theksuar se ai e njihte mirë këngën labe dhe elementet karakteristike të saj.
Lajmi se interpretimi i tyre është përzgjedhur për filmin është pritur me emocione dhe krenari nga grupi.
“Ndjesia nuk përshkruhet me fjalë. Normalisht që na bën krenarë, sepse përfaqësojmë qytetin tonë, Labërinë tonë dhe këngën labe”, thanë anëtarët e grupit.
Në film dëgjohet kënga “Rusani i Perëndive”, një krijim kushtuar Xhamisë së Gjin Aleksit në Delvinë, objekt që konsiderohet simbol i identitetit dhe i harmonisë kulturore e fetare të qytetit.
Nga grupi besojnë se përfshirja e këngës së tyre në një prodhim të tillë ndërkombëtar do të ndikojë pozitivisht edhe në promovimin e këngës labe dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Mendoj se kjo mund të jetë një vlerë e shtuar, sepse kënga labe është pjesë e UNESCO-s. Në vitin 2005 u shpall kryevepër e trashëgimisë gojore dhe jomateriale, ndërsa në vitin 2008 u përfshi zyrtarisht në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s”, deklaruan nga grupi.
Përfshirja e zërave të “Djemve të Delvinës” në kolonën zanore të “The Odyssey” vlerësohet si një tjetër dëshmi e veçantisë së polifonisë shqiptare, e cila përmes këtij filmi pritet të dëgjohet nga një publik i gjerë ndërkombëtar.