RMV, shumë pak shkolla e çerdhe janë pajisur me aparatet për pastrimin e ajrit
Janë të pakta shkollat dhe çerdhet të cilat brenda objekteve të tyre kanë të vendosura aparate për pastrimin e ajrit. Komuna e Kisella Vodës ka 8 shkolla fillore dhe 2 periferike, raporton Alsat. Të gjitha klasat e këtyre objekteve thuajse janë pajisur me aparate për pastrimin e ajrit duke bërë që shëndeti i fëmijëve të përmirësohet dukshëm
“Në shumicën e klasave, pastruesit tashmë janë vënë në funksion, presim që pjesa tjetër e pastruesve të mbërrijë në dhjetë ditët e ardhshme, që do të thotë se praktikisht diku mendoj se rreth 220 klasa në territorin e komunës së Kisella Vodës do të pajisen plotësisht me pastrues ajri.. Nga ajo që bisedojmë me profesorët por edhe me përkëdhelëset në kopshte, mund të themi se janë të kënaqur. E gjithë kjo ndikon në shëndetin e fëmijëve, ata sëmuren më pak, më pak fëmijë do të mungojnë në shkollë”, deklaroi Orce Gjorgjievski, kryetar i Komunës Kisella Voda.
Nga Komuna e Çairit thanë se për momentin është në përfundim vendosja e paneleve fotovoltaike për të vazhduar më pas me vendosjen e pajisjeve për pastrimin e ajrit.
“Si komunë e Çairit kemi filluar burime të tjera të kërkojmë të cilat janë më të pastra dhe kemi bërë shumë investime duke vendosur panele fotovoltaike në çdo shkollë. Pas këtyre hulumtimeve ne do të ulemi me sektorin e Arsimit dhe stafin tim për të menduar për hapa të tjerë. Të investojmë në ato aparate të cilat e filtrojnë ajrin brenda për brenda që normal gjatë aktiviteteve që i kryejnë nxënësit tonë të kenë mundësi që të thithin ajër të patër”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.
Përveç në shkolla dhe çerdhe, Komuna e Kisella Vodës ka vendosur edhe 5 pastrues të ajrit në ambient të jashtëm, në vendet më frekuente ku ka lëvizje më të madhe të makinave. Ndërsa Shkupi radhitet ndër qytetet me ajër më të ndotur në botë, prania e madhe e grimcave PM në ajër ndihet jo vetëm në kryeqytet, por pothuajse në të gjitha qytetet. Rreziku i ajrit të ndotur qëndron pothuajse po aq në ambiente të mbyllura sa edhe jashtë, tha ditë më parë rektori i universitetit “Goce Delçev” në Shtip, Dejan Mirakovski duke prezantuar rezultatet e analizës që ka të bëj me cilësinë e ajrit në ambient të brendshëm, në shkolla dhe çerdhe.
Ndryshe, mjedisi jetësor as këtë vit nuk ishte një nga prioritetet kryesore të qeverisë. Në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së theksohet se vendi nuk është harmonizuar plotësisht me disa direktiva nga legjislacioni evropian dhe në periudhën e kaluar nuk ka bërë shumë punë për ta ndryshuar këtë gjë.
Nuk ka përmirësim as sa i përket kapaciteteve të institucioneve, mbrojtja e ajrit po stagnon, ndërsa ekonomia qarkulluese, ndarja dhe riciklimi i mbeturinave mbeten angazhime vetëm në letër.