Katër lloje të dronëve sipas standardeve të NATO-s do të prodhohen në RMV

Katër lloje të dronëve do të fillojnë së shpejti të prodhohen në Maqedoninë e Veriut, njoftoi kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas vizitës në fabrikën “ATS AMMO” në Samokov. Dronët do të jenë sipas standardeve të NATO-s, dhe do të kenë përdorime të shumëfishta. Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska tha se për shkak të nevojave që imponohen, dronët do të jenë shumëfunksional, me aftësi për misione zbulimi, aksione luftarake dhe për nevoja civile, njofton Portalb.mk.

“Do të nisë prodhimi serial i katër llojeve të dronëve, të cilët do të pajisen me inteligjencë artificiale, të cilët do të kenë një gamë të lartë, të cilët do të kenë ngarkesë adekuate për t’u pajisur me pajisje përkatëse dhe që do të prodhohen tërësisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas të gjitha standardeve të NATO-s dhe do të mund t’i shohim në arsenalet ushtarake të vendeve të NATO-s”, tha kryeministri Kovacevski.

Sipas njoftimeve, vendi duhet të jetë në hartën e prodhimit të dronëve multifunksionalë që do të përdoren në arsenalet ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska nuk jep detaje, duke pasur parasysh se specifikat teknike janë informacione të klasifikuara që do të duhet ende të saktësohen.

“Për sa i përket specifikimeve teknike, nuk do të publikoja tani saktësisht se çfarë do të përmbajnë, sepse janë edhe informacione të klasifikuara. Ato do të jenë me shumë qëllime për faktin se në ditët e sotme po imponohet gjithnjë e më shumë multidimensionaliteti apo nevoja për shumë aspekte. Ato do të mund të dërgohen në misione zbulimi dhe sigurisht do të jenë për aksione luftarake, por edhe për qëllime civile”, tha Petrovska.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se “ATS AMMO” është fabrika e vetme maqedonase në vend për prodhimin e municionit të kalibrit të vogël “ATS AMMO”, i cili në të kaluarën njihej si “Suvenir” nga Samokovi.

“Kjo fabrikë prej 42 vitesh ekziston në këto zona me një traditë dhe përvojë shumëvjeçare në prodhimin e të gjitha llojeve të municioneve të kalibrit të vogël dhe arriti të depërtojë në botë me cilësinë e saj. “ATS AMMO” është pjesë e grupit ATS i cili është i pranishëm në 56 vende të botës”, tha kryeministri Kovaçevski, duke shtuar se fabrika funksionon sipas standardeve të NATO-s.