Shqiptarët në Turqi bëjnë histori: Filmi “Krejt e Thirrin Rexhën” për herë të parë në kinema në Stamboll

Lidhja e Rinisë Shqiptare në Turqi (Arnavut Gençlik Birliği), nën udhëheqjen e kryetarit Yasin Yurdakul Pllana, ka realizuar një hap historik për kulturën shqiptare në diasporë. Me rastin e festave të Nëntorit, për herë të parë shqiptarët në Stamboll do të kenë mundësinë të shohin në kinema një film të prodhuar dhe të folur në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Në Komunën e Bajrampaşës, reklamat e filmit janë vendosur nëpër të gjitha tabelat publike të reklamave deri më 5 dhjetor, kur edhe do të mbahet premiera e filmit në Stamboll.

Regjisori i filmit Ibër Deari në profilin e tij ne Facebook ka shënuar se të shohësh filmin në zemër të Stambollit është nder i jashtëzakonshëm. Ata falënderojnë nga zemra Lidhjen e Rinisë Shqiptare në Turqi për përkrahjen vizionare dhe për hapjen e rrugës që “Krejt e Thirrin Rexhën” të prezantohet për herë të parë para komunitetit shqiptar në Turqi.

“Nder i madh me pa filmin tonë në zemër të Stambollit. Faleminderit Lidhjes së Rinisë Shqiptare në Turqi për përkrahjen dhe për hapjen e rrugës që “Krejt e Thirrin Rexhën” të shfaqet për herë të parë para komunitetit shqiptar atje. Faleminderit nga zemra për gjithë përkrahjen. Është nder i madh që filmi jonë po arrin te komuniteti shqiptar në Stamboll, sidomos në ditët e nëntorit”, ka shkruar Deari.

Kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për afirmimin e kulturës, gjuhës dhe artit shqiptar në diasporë, duke hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit dhe prezencës kulturore në Turqi, thotë ai.

Filmi i ri i regjisorit të njohur Iber Deari, “Krejt e thirrën Rexhon”, ka shënuar një sukses të veçantë që nga premiera e tij. Me një rrëfim të fuqishëm, personazhe autentike dhe energji të pastër emocionale, filmi ka arritur t’i mbledhë shikuesit rreth një historie që flet me gjuhën e jetës së vërtetë.