Një shtetas serb i dyshuar për aksident të rëndë trafiku në Valandovë me pasojë vdekje
Prokuroria Themelore Publike në Gjevgjeli ka hapur procedurë ndaj një shtetasi të Republikës së Serbisë, i dyshuar për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion, sipas nenit 300 paragrafi 4 në lidhje me nenin 297 paragrafi 3 dhe paragrafi 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Siç thuhet në njoftimin e prokurorisë, më 19 nëntor herët në mëngjes, i dyshuari ka drejtuar një automjet transportues “Mercedes”, pronë e një kompanie transporti nga Serbia, i ngarkuar me rreth 24.5 ton letër të presuar. Duke lëvizur në rrugën rajonale nga Valandova drejt Dojranit, ai nuk është përmbajtur ndaj dispozitave të Ligjit për Sigurinë e Trafikut Rrugor dhe kështu ka rrezikuar qarkullimin publik, duke vënë në rrezik jetën dhe trupin e njerëzve.
“Edhe pse kishte detyrimin ta mbante automjetin sa më afër skajit të djathtë të rrugës dhe t’ia përshtaste lëvizjen kushteve të rrugës që të mos rrezikonte pjesëmarrësit e tjerë në trafik, ai nuk e ka bërë këtë dhe e ka humbur kontrollin, automjeti ka dalë në bankinë jashtë rrugës dhe është përmbysur në anën e djathtë. Mirëpo, në gjysmërimorkion e kamionit kanë qenë edhe 10 shtetas kinezë, nga të cilët gjatë përmbysjes një grua 35-vjeçare dhe një burrë kanë humbur jetën, dy persona kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa dy të tjerë më të lehta,” thuhet në njoftim.
Siç theksohet më tej, pasi ekzistojnë rrethana që tregojnë qartë rrezik për arratisje, duke marrë parasysh që i dyshuari është shtetas i huaj, llojin dhe ashpërsinë e veprës penale dhe pasojat e saj – meqenëse bëhet fjalë për vepër me pasoja vdekjeprurëse dhe disa persona të lënduar – prokurori publik ka paraqitur propozim tek gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Gjevgjelisë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Ndërkohë, po ndërmerren veprime edhe për hetimin e mundësisë së elementeve të veprës penale të kontrabandimit të migrantëve,” shtohet në njoftim.