Shqipëria dhe shqiptarët në tetë mijë dokumente nga arkivat amerikane

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë ka njoftuar se janë kthyer mbi tetë mijë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, raporton Koha.net. Ardit Bido, drejtor i këtij institucioni, ka theksuar se kjo seri dokumentesh e marrë nga arkivat amerikane, së bashku me dy kolona gazetash, përfshirë “Albanian” e themeluar nga Faik Konica, prej të enjtes janë bërë pronë e Arkivit Qendror Shtetëror, si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej studiuesit Artan Hoxha.

“Sikurse ka dëshmuar edhe precedenca e akteve të dhurimit, materialet dokumentare dhe fotografike të marra në dorëzim prej Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave kanë shërbyer për pasurimin e fondeve, duke ofruar edhe shtysa për nisjen e hulumtimeve të reja”, ka thënë Bido, raportojnë mediat në Shqipëri. Ka kujtuar dhurimin e arkivit vetjak të ngjeshur të poetit Lasgush Poradeci në vitin 2017 dhe një vit më vonë atë të veprimtarit politik Reuf Fico.

Po ashtu, Bido ka informuar se AQSH-ja strehon edhe dorëshkrime të shumta të Musine Kokalarit, në përmbushje të vullnetit të saj që “një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë”, siç thuhej në deklaratën e familjares së saj, Bibika Kokalari.