Shpallja për prokurorin e ri publik republikan në shtator, paralajmëroi ministri Lloga

 Shpërndarja e Këshillit Gjyqësor, mbetet një mundësi dhe do të zhvillohet gradualisht përmes institucioneve të sistemit dhe jo menjëherë, tha ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në lidhje me qëndrimin e tij për shpërndarjen e përbërjes aktuale, raporton MIA.

“Mbetet qëndrimi dhe mundësia për shpërndarje. Por nuk do të jetë një proces traumatik, por gradualisht i cili do të sigurohet nga institucionet”, tha Lloga.

Lidhur me zëvendësimin e njeriut të parë të prokurorisë shtetërore, ministri Lloga sqaroi se të martën ka pasur një bisedë me kryeministrin, në të cilën e ka njoftuar për skadimin e mandatit të prokurorit aktual dhe publikimin e shpalljes.

“Duke pasur parasysh se mandati i skadon në dhjetor, besoj se në shtator do ta fillojmë procedurën për zgjedhje të prokurorit të ri publik republikan”, tha Lloga.

Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me Këshillin Gjyqësor dhe nëse është gjetur zgjidhje në kushte kur BE-ja e kontrollon punën e Këshillit Gjyqësor, ministri sqaroi se ka pasur takim me një përfaqësues të BE-së ndërsa ndryshimi i ligjit është përfshirë në Strategjinë 23-27.

“Parashikohet se si zgjidhen anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe kujt i përgjigjen dhe i raportojnë. Drafti i është lëshuar edhe VMRO-DPMNE-së dhe kërkojmë që të shprehen, pasi ky është një proces që kërkon shumicë prej dy të tretash. Jo për emërimin apo shkarkimin e anëtarëve, ndaj besoj se bashkë me procesin e ofruar nga BE-ja me misionin vlerësues do të kemi një zgjidhje se si do të vazhdojmë”, nënvizoi ministri i Drejtësisë Krenar Lloga.

Lidhur me rastin për spitalin modular në Tetovë, ministri ka pasur takim me prokurorin Lubomir Joveski. Në takim është informuar për atë se sa lëndë janë hapur dhe si udhëhiqen ato.

“Siç e dini një lëndë në Gjykatën Themelore në Tetovë ka marrë aktgjykimin e parë, e dyta lëndë është në PTHP NKOK në Shkup. Kam pasur takim edhe me kreun e asaj prokurorie publike dhe është në procedurë para hetimore dhe besoj se në ditët dhe javët në vijim do të kemi një zgjidhje edhe për këtë, siç më njoftoi prokurori publik dhe prokurori nga PTHP NKOK kanë disa procedura që besoj se për disa javë do të kemi një zgjidhje”, tha Lloga.