Shoqëria spontane

Gjatë përgatitjes për ligjërimin e lëndës “Shoqëria dhe politika” na u desh të analizojmë edhe veprën Foundations of free society, të Eamon Buttler (2013) ku rastisëm një term interesant: spontaneous society që është sinonim i shoqërisë së lirë, që lidhet me idetë klsike liberale ose libertariane. Kjo shoqëri ndërtohet nga veprimet e individëve duke i ndjekur rregullat që promovojnë bashkëpunimin paqësor, që nuk imponohet prej lartë nga autoritetet politike. Ky lloj i shoqërisë funksionin natyrshëm përmes interaksioneve vullnetare të njerëzve të rëndomtë, shtytur nga një kulturë e besueshmërisë dhe ndershmërisë. Rregullat dhe normat që e nxisin këtë bashkëpunim spontan janë aq natyrale në një shoqëri të lirë, saqë njerëzit nuk kanë nevojë të mendojnë për to.

Në këtë mjedis social, nuk kërkohet ndonjë autoritet që t’u thotë njerëzve të jenë të ndershëm dhe efikas, ose të punojnë shumë dhe të bashkëpunojnë me të tjerët. Njerëzit e bëjnë këtë natyrshëm çdo ditë. (f. 26) Në të nuk ka planifikim qendror, organizimi motivohet nga respekti, mirëbesimi dhe zgjedhjet individuale të ndërsjella, rregullimi harmonik dhe koheziv funksionon pa institucione deryruese (coercive institutions)

Urtësia inherente e shoqërisë spontane, e udhëhequr nga rregullat nuk gjendet në ndonjë qendër. Meqë pushteti është i shpërndarë, pjesëtarët e saj mund të bëjnë eksperimente të vogla në shkallë të vogël, të ndërmarrin risk që nuk kërcënon askëd pos vetëvetes. (f. 132)

Friedrich Hayek flet për ‘rendin spontan’ (spontaneous order), një koncept i rëndësishëm në teorinë sociale që shpjegon se si praktikat dhe institucionet njerëzore lindin si pasoja të paprogramuara të një sërë veprimesh individuale dhe tregon kufijtë e racionalizmit dhe projektimit të vetëdijshëm në jetën shoqërore. (Luban, 2019) Kjo është një lloj shoqërie e kundër me inxhinieringun social dhe eksperimentet e inxhinieruara nga njeriu nëpërmjet dizajnit social.

Pra aktivitetet e ndryshme të këtij niveli qytetërimor tjetërfare lindin në një mënyrë graduale dhe të paskicuar si pasojë e sjelljes individuale të orientuar nga vetvetja. Çdo individ udhëhiqet nga një dorë e padukshme për të avancuar interesin shoqëror pa e ditur ose dëshiruar atë; rendi spontan sugjeron se gjatë shekujve, institucionet shoqërore lindin dhe evoluojnë në një mënyrë graduale dhe të paplanifikuar si një përgjigje ndaj sjelljes individuale të orientuar nga interesi personal. (Forget, 2001)

Origjina e kësaj ideje mund të gjurmohet në një sërë tekstesh klasike, si Fabulë e bletëve e Bernard Mandeville-it (1714) që mëson për “veset  private, përfitimet publike’, Pasuria e kombeve e Adam Smith-it (1776) i njohur me ‘dorën e padukshme’ dhe Eseja mbi historinë e shoqërisë civile të Adam Ferguson-it (1767) që pohon se rendi është “rezultat i veprimit, jo i dizajnimit njerëzor. (Van de Haar 2011)

Në këtë teori rendi shfaqet paqëllimshëm (unintentionally), ndërveprimi është i mundshëm pa planifikimin racional. (Boykin 2010). Sipas Hayek-ut ndërhyrja e e qeverisë e shkatërron balancin mes elementeve të ndryshme që përbëjnë rendin spontan. Kjo qasje kundërshton ruajtjen e status quo-së, planifikimin, centralizimin dhe konstruktivizmin (Kuthatas, 2006) Shoqëria spontane bazohet te nomos-i ose ligji i lirisë që buron në mënyrë spontane nga ndërveprimi njerëzor, për dallim nga thesis, ligj i legjislacionit përmes procesit lart-poshtë që udhëhiqet nga interesat e ngushta të sovranoit ose të elitës.

Nga ky zbërthim teorik mund të konstatojmë se njerëzit janë shumë më humanë kur lihen në natyrshmërinë e vet, janë më paqësorë. Konstruksionet sociale që burojnë nga ide ekskluziviste benefitsynuese, utilitariste dhe pragmatiste i bëjnë njerëzit që të jenë ujqër të njëri tjetrit. Edhe fërkimet e polarizimet në vendin tonë e më gjerë në Ballkan e përtej janë pasojë e prishjes së këtij spontaniteti natyral përmes inxhineringjeve të ndryshme që synojnë superioritetin ose dominimin e njërit mbi tjetrin. Multikulturalizmi, në terren, është funksiononal sikur mos të ishte ndërhyrja e politikës.  Përderisa të gjithë nuk sillemi në mënyrë spontane njerëzisht do të kemi shoqëri të tendosur dhe turbulente. Larg jemi edhe në një aspekt tjetër të shoqërisë spontane: veprimi me ndershmëri dhe në mënyrë efikase pa mbikëqyrje dhe aparat ndëshkimor, ku vendet skandinave dhe ca të tjera kanë bërë hapa markante.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.