Klekovski paralajmëroi ligj të ri: Do të raportohet mungesa e barnave, falsifikimi do të bëhet vepër penale
Ministria e Shëndetësisë po përgatit një ligj të ri për barnat, me të cilin do të vendoset detyrimi për raportimin në kohë të mungesës së terapisë, do të parashikohen plane rezervë për sigurimin e barnave dhe do të ashpërsohen masat kundër falsifikimit. Ligji i ri po përgatitet në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ndërsa dje u mbajt një konsultim kombëtar ku morën pjesë përfaqësues të pacientëve, farmacistëve, industrisë farmaceutike dhe mjekëve, transmeton Portalb.mk.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, shpjegoi se ligji aktual është miratuar në vitin 2007 dhe deri më tani është ndryshuar më shumë se 20 herë, prandaj po përgatitet një zgjidhje e re ligjore në tërësi.
Me të do të rregullohet vetëm fusha e barnave, ndërsa pajisjet mjekësore do të përfshihen në një ligj të veçantë. Në fazën e ardhshme planifikohet që edhe veprimtaria farmaceutike, përkatësisht ajo e farmacive, të rregullohet me ligj të veçantë.
Një nga risitë kryesore do të jetë vendosja e procedurës për raportimin e mungesës së barnave, si dhe hartimi i planeve rezervë për rastet kur një terapi e caktuar nuk do të jetë përkohësisht ose përgjithmonë në dispozicion. Gjithashtu, do të vendoset një procedurë e re për raportimin e reaksioneve të padëshiruara nga barnat.
“Pjesa më e madhe e mungesës së barnave është e parashikueshme, sepse prodhuesit ose furnizuesit e dinë paraprakisht se do të ketë ndërprerje ose vonesa në prodhim dhe furnizim. Prandaj nevojiten më shumë disiplinë dhe informim me kohë. Detyrimin për raportim do ta kenë bartësit e autorizimeve”, tha Klekovski.
Ai theksoi se ligji i ri do të harmonizohet me rregulloret evropiane dhe me standardet e Këshillit të Evropës për luftimin e barnave të falsifikuara. Për herë të parë, falsifikimi i barnave do të parashikohet si vepër penale, gjë që do të kërkojë edhe ndryshime në Kodin Penal.
Duke iu përgjigjur pyetjes për mungesën e barnave në klinika, përfshirë edhe në Klinikën e Onkologjisë, ministri tha se me zgjidhjen e re ligjore do të përcaktohet mënyra e raportimit të mungesës dhe sigurimit të terapisë zëvendësuese ose të një plani tjetër për trajtim.
Si shembull ai përmendi barin “Dekortin”, për të cilin aktualisht ka mungesë të përhershme.
Klekovski paralajmëroi se zgjidhja e re ligjore do të thjeshtojë edhe disa nga procedurat për regjistrimin e barnave dhe do të mundësojë monitorim më të mirë të konsumit të tyre. Këto të dhëna janë të rëndësishme edhe për vlerësimin e mjeteve të nevojshme për përfshirjen e terapive të reja në listën pozitive. Sipas paralajmërimeve të ministrit, në vitin 2027 pritet që në këtë listë të përfshihen barna të reja.