Pacientët e lënduar në tragjedinë e Koçanit do të rehabilitohen në qendrën rekreative Ponikva
Qendra rekreative Ponikva do të shndërrohet në qendër rehabilitimi për të gjithë qytetarët e lënduar nga tragjedia në Koçan. Qeveria, në mbledhjen e djeshme, miratoi vendim dhe e angazhoi Ministrinë e Punëve të Brendshme që ta vë në dispozicion vendpushimin Ponikva, i cili ka 27 dhoma dhe 56 shtretër, për Ministrinë e Shëndetësisë për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për shërbime mjekësore shtesë, në periudhën nga 10 qershori deri më 20 gusht, transmeton Portalb.mk.
“Poashtu, një ekip mjekësh do të kujdeset dhe do të ofrojë ndihmë mjekësore dhe mbështetje psikologjike për pacientët. Nëse ekipet mjekësore dhe punonjësit shëndetësorë vlerësojnë se është e nevojshme zgjatja e periudhës kohore për trajtim dhe rehabilitim të pacientëve, Qeveria do ta zgjasë vendimin. Pacientët nuk do të paguajnë asnjë denar, gjithçka do të mbulohet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria, të cilat do të sigurojnë akomodim dhe ushqim për pacientët, si dhe ushqim për stafin mjekësor”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.