Pacientët presin me orë të tëra për insulinë dhe kontrolle në Poliklinikën e Shkupit në Bukuresht pasi nuk ka internet prej disa ditësh

Pacientët presin me orë të tëra radhë për insulinë dhe termine të planifikuara në Poliklinikën e Shkupit në Bukuresht, sepse nuk ka internet prej disa ditësh. Ka kaos në korridore, pacientë të të gjitha moshave kanë qëndruar në këmbë me orë të tëra sepse kur nuk ka internet, sistemi elektronik “Termi Im” nuk funksionon, kështu që mjekët dhe infermierët duhet të fusin të dhënat manualisht, shkruan Sdk.mk, transmeton Portalb.mk.

“Nuk ka internet që nga dje, është raportuar. Defekti është nga ana e A1. Është një defekt i madh, po punojmë për  zgjidhje, por nuk e dimë se kur do të zgjidhet”, tha drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Shkup, Samir Iseni.

Në Poliklinikë ndodhet edhe Farmacia e Insulinës, ku insulina nuk është shpërndarë për disa ditë për shkak të kësaj. Insulina po shpërndahet që nga sot, por ka pritje deri në një orë, sepse infermierët i fusin të dhënat manualisht, dhe ndonjëherë i telefonojnë kolegët në poliklinika të tjera për ndihmë për të verifikuar të dhënat. Radha në Farmacinë e Insulinës shtrihej deri në derën e përparme të poliklinikës.

Pacientët diabetikë që hasen në Poliklinikë ishin të indinjuar dhe komentuan në radhë se për vite me radhë, sa herë që vinin për të marrë insulinë, mungonte diçka. Ndonjëherë nuk kishte insulinë, ndonjëherë nuk kishte shirita testimi të sheqerit në gjak, ndonjëherë nuk kishte pajisje shpimi.

“Për tridhjetë vjet marr insulinë, asnjëherë nuk ka ndodhur të ketë gjithçka që nevojitet, gjithmonë mungon diçka. Ja ku jemi, kemi gjithçka, por nuk kemi internet”, tha një pacient i moshuar që priste në radhë.

Kujtojmë se në fillim të prillit të këtij viti Shoqata e të sëmurëve nga diabeti në Maqedoninë e Veriut shprhu shqetësimin për mungesën e insulinës dhe terapisë kundër diabetit. Ata i bënë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të fillojnë menjëherë me shpërndarjen e të gjitha barnave të insulinës nëpër farmaci, sipas nevojave dhe numrit të pacientëve ekzistues.

Ndryshe, sipas edicionit të fundit, të 11-të të “Atlasi për Diabet” të Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF), në Maqedoni në vitin 2024, janë regjistruar 140.800 persona me diabet të moshës 20 deri në 79 vjeç, që paraqet prevalencë të standardizuar sipas moshës prej 7,4 për qind. Të dhënat tregojnë gjithashtu se rreth një e treta e njerëzve me diabet – 33.5 për qind – janë të padiagnostikuar, që do të thotë se rreth 45,000 njerëz në vend jetojnë me diabet pa e ditur.