Shkupi nesër sërish pa transport publik, janë vonuar pagat e punëtorëve të NTP-së

Më pak se një muaj pasi në kryeqytet u ndërpre transporti publik urban për një ditë muajin e kaluar, një pezullim i ri i qarkullimit të autobusëve të NTP në Shkup është në horizont. Kryetari i Sindikatës së Ndërmarrjes së Transportit Publik “Shkup”, Miço Stojanovski, sot ka bërë të ditur se autobusët e NTP-së nuk do të qarkullojnë nesër sepse punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e janarit, transmeton Portalb.mk.

“Ja, sot është data 15, dita e fundit ligjore për pagesën e pagave. Pritëm deri në orën 14:30 kur ishte momenti i fundit që paratë të transferoheshin në NTP dhe të derdheshin në llogarinë e punonjësve, por nuk ndodhi. Nuk jemi pajtuar me kryetaren dhe drejtorin. Këshilli i Qytetit të Shkupit ka përfunduar punën, ka marrë vendimin (për subvencione për NTP-në). Tani mbetet vetëm që paratë të transferohen dhe paga të jetë në kohë”, tha Stojanovski në një konferencë për media.

Sipas vendimit të Sindikatës së NTP-së, nga nesër në ora 04:30 autobusët e Ndërmarrjes së Transportit Publik do të qëndrojnë në garazhe, e nuk do të funksionojnë as biletaritë.

“Ne jemi të gjithë të bashkuar, kjo duhet të ndalet. Nuk e kam të qartë se ku do të shkojë shpirti i njerëzve. Të gjitha ndërmarrjet publike në Shkup ndanë pagën e muajit janar, punëtorët e Qytetit të Shkupit dhe Këshillit të Qytetit të Shkupit e ndanë pagën dhe imagjinoni, për NTP-në nuk ka rrogë. Nuk ka rrogë – nuk ka vozitje, nuk ka transport”, ka shtuar kryetari i Sindikatës së NTP-së.

Me 22 janar Shkupipër disa orë mbeti pa transport publikpasi Këshilli i Qytetit të Shkupit nuk i miratoi subvencionet për NTP që kompania priste për të paguar pagën e dhjetorit. Megjithatë pas një seance të jashtëzakonshe ato u votuan dhe transporti publik u kthye në normalitet.