Fillimi i kaosit në trafik pa transport publik – në stacionet e autobusëve qytetarët presin taksi

Në kryeqytet sot viheshin re stacionet e zbrazëta të autobusëve, pas protestës që pasoi për shkak se punonjësve të NQP-së ende nuk u janë dhënë pagat për muajin dhjetor. Qyteti vlonte nga taksitë, të cilat i transportonin qytetarët që nuk kanë makina personale për të mbërritur në vendet e tyre të punës. Pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku nuk u votua vendimi për subvencione për NQP-në, tashmë është e qartë se qytetarët do të detyrohen të kërkojnë një zgjidhje alternative për transport, nëse nuk ndodh diçka që do ta ndryshojë vendimin në mënyrë që kjo ndërmarrje të marrë subvencionet, ndërsa punonjësve tu ndahen pagat, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Nëpër rrëmujë, në këtë mot të ftohtë, punonjësit e NQP-së që dolën në protestë ngroheshin me gotat me çaj, në pritje të epilogut të seancës së jashtëzakonshme e cila nuk përfundoi në favor të tyre.

Meta.mk bisedoi me disa prej tyre. Ata thonë se kërkesat e tyre janë të thjeshta që të vazhdojë funksionimi i rregullt i transportit publik.

“Ne nuk kemi marrë paga që nga muaji dhjetor, ne kërkojmë që pagat t’i marrim me rregull, të marrim pagën në datën një të muajit, siç duhet ta marrim, që të mos paguajmë kamatë në banka. Duhet t’i paguajmë edhe faturat e amvisërisë”, na thanë disa nga të pranishmit.

“Kërkojmë edhe atë që duhet të na e paguajnë, dhe të na bëjnë një rritje të pagave, dhe të na kthejnë paratë që na i hoqën 15 vjet më parë”, shtuan ata.

Ndërkohë të vetmit autobusë që mund të vihen re nëpër Shkup janë autobusët e parkuar të NQP-së apo kompanive private të transportit që qarkullojnë nëpër qytete të tjera.

Stacionet e autobusëve në të gjithë qytetin janë bosh dhe qytetarët që presin në stacionet e autobusëve në vend të autobusëve presin taksi. Shumica e tyre janë studentë.

Me ndërprerjen e qarkullimit të mjeteve të transportit që studentët dhe nxënësit e përdorin më shpesh, pra transportin publik, ata janë të detyruar të gjejnë një alternativë tjetër për të shkuar në fakultet.

Para Fakultetit të Ndërtimtarisë, ku stacioni zakonisht është përplot me studentë, sot nuk ka rrëmujë, ndërsa studentët që ishin të pranishëm në oborrin e fakultetit thonë se duhet të arrijnë doemos në fakultet sepse kanë kolokiume dhe provime.

„Erdha me taksi, është java e kolokiumeve, duhet të arrij në kohë. Ky është problem për ne, unë nuk vij nga larg, por ka studentë që udhëtojnë nga më larg, ndërsa transporti me taksi nuk është i lirë”, tha një studente e Fakultetit të Ndërtimtarisë.

Një studente tjetër thotë se edhe pse kjo situatë ua vështirëson kryerjen e obligimeve, ata përsëri kanë mirëkuptim.

“Punonjësit nuk kanë marrë pagat, ne e kemi të vështirë të shkojmë në universitet, por nuk mund t’i bëj me faj, mendoj se edhe ne kemi mirëkuptim. Është keq për të gjithë, Shkupi nuk funksionon dot pa autobusët. Sot erdha në fakultet me biçikletë, edhe pse zakonisht nuk e përdor, bën ftohtë, por nuk ma merrte mendja se do të gjeja një taksi në një ditë të si kjo”, na tha ajo.

Pak më tutje, qytetarët që takuam në stacionin e autobusit “Mall odmor” po përpiqeshin të thërrisnin një taksi.

“Unë e përdor transportin publik, por sot nuk mund ta bëj një gjë të tillë, tani kërkoj taksi, por nuk mund të gjej asnjë mjet transporti”, tha një nga personat e pranishëm në stacion.

Ekipi i Meta.mk arriti të gjejë një taksi, ndërsa kur hipëm në makinë shoferi menjëherë komentoi se mundësia për të gjetur një taksi në një situatë të këtillë është “si të fitosh në llotari, pothuajse e pamundur”.

E  pikërisht kjo flet shumë për nevojën urgjente për transport publik, pa të cilin Shkupi funksionon me vështirësi. Mbeten pa përgjigje shumë pyetje për atë se si do të qarkullojnë shkupjanët pa autobusë, ndërsa kaosi i sotëm është vetëm fillimi.

Këshilltarët e Qytetit të Shkupit sot për dy orë e gjysmë debatuan nëse NQP-së duhet t’i jepen subvencione prej 11 milionë euro, në mënyrë që punonjësit ta marrin pagën për muajin dhjetor dhe të vazhdojë të funksionojë transporti publik.

Mes këshilltarëve u zhvillua një debat i ashpër, që në fund me 22 vota “për” dhe 13 abstenime të merret vendimi për mosdhënien e subvencioneve, gjegjësisht mungoi vetëm edhe një votë “për”. Grupi i këshilltarëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së kundërshtoi dhënien e subvencioneve për NQP-në dhe pikërisht për shkak të qëndrimeve të tyre nuk u votua vendimi për subvencionet.

Kujtojmë që edhe vitin e kaluar punëtorët e ndërmarrjes publike nuk dolën për të vozitur për shkak të vonesës në dhënien e pagave brenda afatit ligjor të NTP “Shkupi”, por pas zgjidhjes së problemit autobusët vazhduan të qarkullojnë nëpër rrugët e Shkupit.