Shkup, padi penale kundër dy personave dhe një kompanie për falsifikim, përfituan jashtëligjshëm mbi 56 milionë denarë
Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër personave Lj.P. dhe Z.A. në cilësinë e drejtuesve të personit juridik TRITEROL PETROL DOOEL Shkup, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Falsifikim i dokumentit” sipas nenit 378 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe “Keqpërdorim i procedurës për shpallje publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” sipas nenit 275-c të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Në periudhën nga 01.01.2021 deri më 31.12.2024, të pandehurit në 19 procedura për prokurim publik para 12 institucioneve publike dhe shtetërore me vetëdije kanë përdorur 19 dokumente të falsifikuara – garanci bankare të falsifikuara për përmbushje të plotë, në kohë dhe me cilësi të lartë të detyrimeve. Në këtë mënyrë, duke paraqitur dokumentacion të falsifikuar, ata me vetëdije kanë shkelur rregullat e procedurës për dhënien e një kontrate për prokurim publik dhe kanë lidhur 19 kontrata për prokurim publik, duke përfituar kështu dobi të paligjshme pasurore në shumë prej 56.764.827,00 denarësh”, shpjegon policia.
Kujtojmë se Policia Financiare edhe në dhjetor të vitit 2024, kundër të njëjtës kompanie dhe dy personave të tjerë juridik ngriti kallëzim penal, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale, Mashtrim tatimor nga neni 279-a paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, Evazion fiskal nga neni 279 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, Bashkëekzekutimi nga neni 24 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë.