Kryeparlamentari Gashi dhe VLEN kërkuan sqarime nga Shqipëria për ndalimin e zyrtarëve në Qafë Thanë
VLEN ka reaguar pasi koordinatori i Grupit Parlamentar, Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Hasim Murtezani, u ndaluan për rreth një orë në pikën kufitare Qafë Thanë, pa marrë, sipas tyre, asnjë shpjegim zyrtar, transmeton Portalb.mk.
Në reagimin e saj, VLEN thotë se tre zyrtarët ishin të pajisur me pasaporta diplomatike, ndërsa sipas informacioneve të komunikuara jozyrtarisht nga policia kufitare, ndaj tyre ekziston një ndalesë hyrjeje në Shqipëri. Megjithatë, theksohet se nuk u është dorëzuar asnjë vendim, dokument apo arsyetim zyrtar.
“VLEN kërkon nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë të informojnë opinionin publik nëse ekziston vërtet një masë e tillë. Nëse po, kush e ka marrë këtë vendim, mbi çfarë baze ligjore është mbështetur dhe cilat janë arsyet konkrete për një veprim të tillë ndaj zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve institucionalë”, thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi transparencë, respekt institucional dhe komunikim të qartë, e jo mbi ndalesa të pashpjeguara dhe procedura që, sipas tyre, lënë vend për dyshime.
Partia pret përgjigje zyrtare nga institucionet shqiptare lidhur me rastin.
Edhe kryeparlamentari, Afrim Gashi, u shpreh “i shqetësuar për informacionet lidhur me trajtimin e deputetëve”.
“Deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues. Për këtë arsye, çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit që u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit. Duke vlerësuar marrëdhëniet tradicionale fqinjësore, por mbi të gjitha ato vëllazërore, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, besoj dhe pres për një sqarim të plotë dhe transparent, i cili do t’i shërbejë jo vetëm zbardhjes së rrethanave të këtij rasti, por edhe ruajtjes së besimit reciprok, respektit institucional dhe frymës së bashkëpunimit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet tona”, thuhet në reagimin e Gashi.