Shkup, do të zhvillohet cikli i tretë i Refleksioneve parisiane me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë

Galeria Nacionale në bashkëpunim me Institutin Francez në Shkup, në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Frankofonisë, e njofton vazhdimin e tretë të ciklit të ekspozitave me titull “Reflektime parisiane”, të premten (23 mars) në ora 12:00 në Çifte Hamam në Shkup, njofton Portalb.mk.

Ekspozita, e cila e mban shenjën 3, paraqet një përzgjedhje të veprave nga gjenerata e tretë e artistëve maqedonas që kanë realizuar qëndrim studimor, disa si fitues të çmimit të atëhershëm shtetëror “Mosha Pijade”, por edhe përmes specializimeve dhe plotësimit të edukimit, ekspozitave apo në një farë mënyre në një pjesë të krijimtarisë së tyre kanë qenë të lidhura me qendrën e artit botëror – Paris. Me këtë, secili me kredon e tij të dallueshme krijuese, ka ushtruar ndikim në zhvillimin e artit maqedonas, veçanërisht në sferën e përcjelljes dhe thellimit të ndikimeve të enformelit, surrealizmit, figuracionit të ri, gjeometrizmit dhe tendencave të tjera botërore që kanë qenë aktuale në atë kohë.

Në këtë përzgjedhje përfshihen autorë të lindur pas vitit 1930, të cilët e kanë definuar skenën e artit në vendin tonë në dekadën e shtatë dhe tetë të shekullit të 20-të, por janë të rëndësishëm edhe për veprimtarinë e tyre pedagogjike (shumë prej tyre bëhen profesorë në Akademinë e Arteve Figurative në Shkup): Nove Frangovski, Dushan Perçinkov, Rodoljub Anastasov, Tanas Lulovski, Risto Kalçevski, Ana Temkova, Gligor Çemerski, Dragutin Avramovski – Gute, Kiril Efremov, Aleksandar Risteski, Vasko Tashkovski, Kiril Gegoski, Millosh Koxhoman, Violeta Çaule, Taki Pavllovski, Rubens Korubin, Done Miljanovski, Bllagoja Nikollovski (piktorë). Boro Mitriqeski, Stefan Manevski, Vasil Vasilev, Dragan Poposki Dada, Boris Nikollovski (skulptorë).

Ekspozita do të hapet nga Siril Bombgartner, ambasador i Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Dita Starova Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Nacionale. Kuratore e ekspozitës është Maja Çankullovska-Mihajllovska, kustose e lartë në Galerinë Nacionale. Të gjitha veprat e prezantuara, shumica e të cilave ekspozohen rrallë, janë pjesë e Koleksionit të Galerisë Nacionale.

Ekspozita do të zgjasë deri më 20 prill 2024.