Sonte në Tetovë hapet ekspozita e Kolonisë Ndërkombëtare Artistike, me vepra të 15 artistëve
Në Galerinë e Arteve në Tetovë sonte, më 26 tetor, në orën 18:00, do të hapet ekspozita kolektive e edicionit të 17-të të “Kolonisë Ndërkombëtare Artistike 2026”. Ekspozita sjell para publikut punimet e 15 artistëve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Italia, Gjermania dhe Turqia, shkruan Portalb.mk.
Nga Maqedonia e Veriut marrin pjesë Afërdita Kiki, Berat Zulbehari, Selam Abdiu, Stefan Ançevski, Stefan Jakimovski dhe Shukrije Neziri. Shqipëria përfaqësohet nga Ermelinda Lupi, ndërsa Edmond Dhrami në afishen e aktivitetit figuron me Shqipërinë dhe Italinë.
Pjesëmarrës nga Kosova janë Faton Kryeziu, Lebibe Topalli dhe Jalldeze Mustafa. Në koloni marrin pjesë edhe Constantin Migliorini nga Italia, Fatos Bylykbashi nga Gjermania, si dhe Cennet İnce Erdoğdu dhe Ozlem Alkan Güngör nga Turqia.

Kolonia u zhvillua nga 22 deri më 26 tetor. Gjatë qëndrimit në Kodrën e Diellit, artistët realizuan vepra të reja me motive dhe teknika të ndryshme, të frymëzuara nga peizazhet dhe bukuritë natyrore të Malit Sharr. Krahas punës individuale krijuese, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja, teknika dhe ide bashkëkohore në fushën e artit pamor. Punimet e krijuara gjatë këtyre ditëve do të prezantohen në ekspozitën e sontme dhe do të pasurojnë fondin artistik të Galerisë së Arteve në Tetovë.

Sipas Galerisë së Arteve në Tetovë, aktiviteti synon forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet artistëve dhe pasurimin e fondit të institucionit me vepra të reja. Ekspozita e sontme përmbyll këtë edicion dhe prezanton rezultatet e punës krijuese të pjesëmarrësve.
Projekti realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit së RMV-së dhe disa mbështetësve të tjerë.