Rama: Do të negociohet që shteti të jetë pjesë e investimit të Kushnerit në Sazan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se do të negociohet pjesëmarrja e shtetit në investimin e planifikuar të Jared Kushnerit në ishullin e Sazanit, transmeton REL.

Pas një takimi në Partinë Socialiste, Rama e cilësoi si një “ofertë fantastike me potencial të jashtëzakonshëm”, projektin e dhëndrit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Sot ne diskutojmë për një Shqipëri, e cila përmes këtyre zhvillimeve bëhet konkurruese e drejtpërdrejtë e atyre që janë luanët e Mesdheut që i kemi rreth e rrotull, që nga Kroacia, e Mali i Zi deri te Greqia poshtë….Aplikimin do ta shqyrtojmë në një proces sipas ligjit dhe mbi të cilin ne do të negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në atë investim”, tha Rama.

Dhëndri i ish-presidentit Trump, konfirmoi javën që shkoi se ishte afër finalizimit të disa marrëveshjeve të mëdha për pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe në Serbi.

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, është në bisedime me dy vendet ballkanike për investime në prona turistike në vlerë mbi 1 miliard dollarësh.

Kushner tha se firma e tij me bazë në Majami synon ta shndërrojnë ishullin më të madh të Shqipërisë, Sazan, në Detin Mesdhe, në një destinacion luksoz për turistët.

Në Shqipëri, ai gjithashtu synon t’i ndërtojë disa hotele dhe qindra vila në Zvërnec, një zonë bregdetare në Vlorë, në jug të Shqipërisë.

Pas takimit me drejtuesit politikë të socialistëve në 12 qarqet e vendit, Rama tha se investimet në ishullin e Sazanit janë ide të kamotshme.

“Transformimi i Sazanit në kurorën e artë të turizmit mesdhetar është ambicie e kahershme. Për hir së vërtetës e kanë pasur dhe qeveritë dhe paraardhësit e mi. Nuk është bërë ende realitet. Më parë ka qenë e paimagjinueshme të afroheshin investitorë në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për të falur asgjë që është e shqiptarëve. Përkundrazi, realizimi i këtyre investimeve pasuron shqiptarët”, tha kryeministri shqiptar.

I pyetur se përse nuk u shpall tender ndërkombëtar, por u zgjodh një person me lidhje politike, Rama tha se Qeveria e drejtuar prej tij “nuk zgjedh persona, por në bazë të legjislacionit shqiptar i referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen”.

Rama, megjithatë, tha se propozimi është në fazën e shqyrtimit dhe do të shihet nëse është në përputhje me vizionin e Qeverisë si dhe me krijimin e një balance të domosdoshme mes zhvillimit dhe mbrojtjes së natyrës.

Për pyetjen se kur ka lindur ideja e këtij projekti, referuar faktit se Kushner e ka vizituar dy herë jugun e Shqipërisë, Rama tha se kjo ide daton para se ai të bëhej kryeministër.

Pak javë më parë në Shqipëri u miratuan ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshime që u hapin rrugë ndërtimeve në to të hoteleve apo projekteve të tjera që konsiderohen me rëndësi strategjike.

Ndryshimet u miratuan në seancën e 22 shkurtit në Kuvend, me vetëm votat e shumicës, ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i dekretoi ato më 18 mars.

Opozita në Shqipëri ka akuzuar Qeverinë Rama për mungesë transparence në lidhje me projektin e Kushnerit, ndërsa Ligjin për zonat e mbrojtura ka deklaruar se do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Edhe ekspertët e mjedisit kanë shprehur rezerva për ligjin dhe investimet në zonat e mbrojtura.