Shkumbin Ismaili: Ka ndryshuar tregu dhe mënyra si konsumohet muzika, por njerëzit ende kërkojnë emocion të vërtetë
Shkumbin Ismaili është një ndër artistët që i ka resistuar kohës, me një karrierë që shtrihet ndër vite, ai ka arritur të ruajë identitetin e tij artistik dhe të sjellë këngë që vazhdojnë të prekin publikun, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në industrinë muzikore. I njohur për baladat emocionale, tekstet me domethënie dhe interpretimin e veçantë, Shkumbini mbetet një artist që i ka qëndruar besnik muzikës së tij. Në një bisedë për Portalb.mk, ai foli për rrugëtimin e tij artistik, sfidat e tregut muzikor, ndikimin e rrjeteve sociale në muzikë, si dhe projektin e tij më të ri “Kot e ke”.
Portalb.mk: Jeni ndër të paktët artistë që keni arritur të “mbijetoni” me dekada në tregun muzikor, i cili gjithnjë e më shumë po komercializohet. Si keni arritur ta ruani krijimtarinë tuaj muzikore dhe e njëjta t’i servohet publikut edhe sot si para, le të themi, 10 viteve?
Shkumbin Ismaili: Mendoj se arsyeja pse publiku ende i pëlqen këngët e mia është sepse asnjëherë nuk kam bërë muzikë vetëm sipas asaj që është në trend për momentin. Kam bërë atë që e kam ndjerë realisht, jo vetëm për të marrë klikime. Ka ndryshuar tregu, mënyra si konsumohet muzika, ritmi i jetës… por njerëzit ende kërkojnë emocion të vërtetë. Kur kënga del nga shpirti, ajo mbijeton më gjatë se trendet. Unë kam zgjedhur të eci ngadalë, por me identitetin tim.
Portalb.mk: Ajo që i dallon këngët tuaja padyshim janë edhe tekstet. Sa muzikë me domethënie prodhon industria muzikore sot? A po e humbasim këtë element?
Shkumbin Ismaili: Për mua teksti është gjysma e këngës. Mund ta kesh produksionin perfekt, por nëse nuk thua asgjë, kënga harrohet shpejt. Sot ka shumë muzikë që funksionon për momentin, sidomos në rrjete sociale, por mungon pesha emocionale. Nuk them që nuk ka më autorë të mirë, ka ende, por janë më të rrallë. Besoj që publiku lodhet një ditë nga gjërat boshe dhe gjithmonë kthehet te muzika me ndjenjë e me kuptim!

Portalb.mk: Vini nga Tetova, megjithatë në Maqedoninë e Veriut mbrëmjet muzikore lënë shumë për të dëshiruar dhe shumë rrallë performoni këtu. Si e shihni këtë trend në krahasim me Shqipërinë dhe Kosovën?
Shkumbin Ismaili:Fatkeqësisht, në Maqedoninë e Veriut tregu është shumë më i vogël dhe mundësitë janë më të kufizuara krahasuar me Kosovën dhe Shqipërinë. Ka mungesë investimi, organizimi dhe hapësirash serioze për artistët. Publiku ekziston dhe e do muzikën e mirë, por infrastruktura për ta mbështetur nuk është në nivelin që duhet. Për këtë arsye, shumica e artistëve fokusohen më shumë jashtë. Megjithatë, Tetova gjithmonë mbetet vendi prej nga kam nisur gjithçka dhe ka një peshë emocionale shumë të madhe për mua.
Portalb.mk: A ka të ardhme muzika e mirëfilltë në vendin tonë, apo po humbet në betejën me trendet 15-sekondëshe të TikTok-ut?
Shkumbin Ismaili: Unë besoj që muzika e mirëfilltë gjithmonë ka të ardhme. TikTok-u mund ta bëjë një këngë hit për 15 sekonda, por nuk mund ta bëjë të pavdekshme. Këngët që mbesin janë ato që njerëzit i ndiejnë edhe pas viteve. Trendet kalojnë shumë shpejt. Muzika që ka shpirt, tekst dhe emocion mbetet. Ndoshta sot është më e vështirë të depërtosh me një baladë apo një këngë më të thellë, por kur prek zemrën e publikut, ajo jeton gjatë.
Portalb.mk: Sapo keni lansuar projektin e ri muzikor “Kot e ke”. Çfarë sjell ky projekt para publikut?
Shkumbin Ismaili: “Kot e ke” është një këngë emocionale, me shumë ndjenjë dhe reflektim. Flet për momentin kur e kupton që disa gjëra nuk kthehen më, pavarësisht sa përpiqesh. Kam tentuar të sjell një atmosferë të sinqertë, si në tekst, ashtu edhe në interpretim. Është një projekt që besoj shumë, sepse ka brenda një pjesë reale emocioni, jo vetëm muzikë për konsum të shpejtë.
Portalb.mk: Çfarë do të presim nga Shkumbini në vijim?
Shkumbin Ismaili: Do të vazhdoj me muzikë që më përfaqëson mua si artist. Kam disa projekte të reja në punë dhe dua të sjell këngë që kanë identitet, emocion dhe jetë më të gjatë se një sezon. Nuk kam dashur asnjëherë të publikoj vetëm sa për të qenë aktiv. Preferoj të nxjerr diçka kur e ndiej që vlen vërtet.