Shkollat e Maqedonisë së Veriut rrezikojnë të mbeten pa mësimdhënës të matematikës

Mungesa e mësimdhënësve nga shkencat matematiko natyrore duket se po shqetëson çdo Shkollë Fillore. Fadil Shemi, mësues i matematikës në shkollën fillore “Dituria” në Likovë tha për Alsat se tashmë janë në numër të vogël kolegët që ligjërojnë shkencat natyrore. Sipas tij, humbja e interesimit për të studiuar këto shkenca është fillimisht mos vlerësimi sa duhet i profesionit të mësuesisë por edhe aspekti financiar.

“Një ndër faktorët që ndikon është edhe ana financiare. Nëse një arsimtar I matematikës gjatë gjithë orës zhvillon mësimin para tabelës ndërsa disa lëndë tjera janë shumë më atraktive, gjegjësisht rekreacion, andaj gjeneratat që vijnë shohin gjërat dhe zgjedhin atë që është më e lehtë. Ose numri I orëve të ulet, se për një mësues 20 orë janë shumë krahasuar me lëndët tjera, nuk dua ta nënçmoj asnjë lëndë tjetër, Nëse I kam gjashtë orë brenda një dite e kam vështirë tepër, e në bazë të asaj që të jem në klasë efektiv për mendimin tim katër orë në ditë, mirëpo jo pesë ditë”, tha Fadil Shemi, mësues i matematikës.

Pavarësisht që disa prej nxënësve shprehin talent për matematikën ata nuk e shohin veten në të ardhmen si mësimdhënës të tillë. Që në shkollë fillore nxënësit mendojnë të largohen jashtë vendit, pasi sipas tyre, do të jenë më të vlerësuar.

“Unë e dua shumë këtë lëndë por në të ardhmen nuk e shoh veten si mësuese e matematikës. Fakulteti I matematikës është shumë i vështirë, mësuesi ka shumë aktivitete gjatë orës por nuk vlerësohet”, tha një nxënëse.

“Në shkollën tonë, si klasë i kemi katër orë në javë matematikë. Por, unë si nxënëse e ndjek edhe kursin e matematikës që të mbërrij më shumë se është pak e vështirë”, shtoi një nxënës.

“Vitet e kaluara ka qenë më e lehtë po tash më duket se ka filluar të bëhet më e vështirë. Nuk besoj se në vendin tonë shkolla të vlerësohet sa duhet. Më mirë vlerësohen gjërat, jashtë vendit, jashtë Ballkanit. Ku përshembull kishe jetuar, në Austri, Zvicër, Gjermani”, theksoi një nxënëse tjetër.

Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në vitin akademik 2023/24 në matematikë janë regjistruar vetëm 22 studentë, në Universitetin e Tetovës vetëm 17 studentë dhe në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip janë regjistruar vetëm 6 studentë.