Shkolla e Sellcës zvarritet: Premtime dhe akuza politike, nxënësit pa klasa të reja 

Ndonëse ishte e paraparë të përfundojë në vitin 2025, punimet për shkollën fillore në fshatin Sellcë të Tetovës po zvarriten. Autoritetet lokale dhe qendrore fajësojnë qeverinë paraprake, ndërsa pranojnë se ka probleme administrative, shkruan Portalb.mk. 

Pas premtimeve disavjeçare, punimet në terren për shkollën fillore “Rilindja” në Sellcë filluan në shkurt 2024, ndërkaq që atëherë punimet janë zvarritur.

Ndonëse aso kohe u premtua se punimet pritet të përfundojnë në vitin 2025, sot kur ka kaluar gjysma e vitit, punimet ende mbeten larg përfundimit dhe nuk dihet nëse e njëjta do të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor. 

Objekti i ri i shkollës fillore komunale "Rilindja" në Sellcë të Tetovës. Foto: Portalb.mk
Objekti i ri i shkollës fillore komunale “Rilindja” në Sellcë të Tetovës. Foto: Portalb.mk

Drejtori i Shkollës Fillore “Rilindja” Muhamer Asani theksoi se kanë objekt të papërshtatshëm dhe infrastrukturë e cila nuk i plotëson kushtet apo standardet e shekullit 21. Megjithatë, ai thekson se nuk kanë informata se kur konkretisht ky objekt do të jetë gati. 

“Fatmirësisht janë hedhur themelet e shkollës së re vitin e kaluar, është ndërtuar konstruksioni i shkollës, punohet edhe brenda tash, por ne si drejtori nuk kemi qasje, nuk kemi të dhëna dhe nuk dimë afatet se kur do të përfundohet dhe ne të futemi në atë objekt të ri”, tha Asani, i cili shtoi se presin me padurim që të futen në objektin e ri. 

Drejtori i Shkollës Fillore “Rilindja” - Sellcë, Muhamer Asani. Foto: Portalb.mk
Drejtori i Shkollës Fillore “Rilindja” – Sellcë, Muhamer Asani. Foto: Portalb.mk

Ministrja e Arsimit Vesna Janevska kur u pyet për këtë, nuk dha përgjigje konkrete, fajësoi qeverinë e kaluar dhe kërkoi durim nga qytetarët. 

“Më vjen keq që në periudhën e kaluar, qeveria e mëparshme nuk tregoi pak më shumë mirëkuptim për problemet reale. Siç mund ta shihni, që nga ardhja e qeverisë së re dhe vetëqeverisjes së re vendore, vazhdimisht është investuar në infrastrukturë. E përsëris se kaq mund të bëhet në një vit, më shumë për dy vjet e kështu me radhë. Ne i dimë prioritetet… Vetëm kërkoj pak durim, çdo gjë do të vijë me radhë, kështu që njerëzit mos të shqetësohen”, tha Janevska.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Foto: Portalb.mk
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Foto: Portalb.mk

Ngjashëm si ministrja, qeverisjen e kaluar e fajësoi edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Sipas tij, shkolla e Sellcës është shembulli më tipik i keqpërdorimit dhe korrupsionit të qeverisë paraprake të BDI-së. 

“Ju e dini që një objekt mbeti në skelet dhe tash po punohet në objektin e ri. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit punohet intenzivisht që ky objekt të përfundohet në kohë edhe pse ka disa probleme administrative gjatë procesit të furnizimit-tenderimit, por unë besoj që shpejt do të tejkalohen dhe ajo shkollë do të përfundohet… Do duhet që të sqarohen të gjitha procedurat paraprake dhe pastaj të vazhdojnë të përmbyllet investimi ashtu siç duhet… Në bazë të kontratës që e ka kompania realizuese, ka afate aty dhe duhet të respektohen ato afate”, tha Kasami. 

Ndërkaq, këshilltari komunal nga BDI, Liridon Disha theksoi se tentativat e vazhdueshme të Bilall Kasamit për përvetësimin e projekteve kapitale të Bashkimit Demokratik për Integrim në të mirë të qytetarëve, janë dëshmi e qartë se ky individ nuk ka as vizion e as takat politik për të ndërtuar të ardhme për shqiptarët. 

“Shkolla e Sellcës është nisur nga Ministria e Arsimit me në krye Ministrin e BDI-së, Jeton Shaqirin dhe këtë fakt e dinë të gjithë banorët e Sellcës. Tentativa e Bilall Kasamit për të gënjyer banorët se kinse ka përpiluar një projekt të ri për këtë shkollë, përveç se e nxjerr atë qesharak, e nxjerr edhe gënjeshtar patologjik dhe e dëshmon faktin se ai nuk e ka hallin e përmirësimit të jetës së qytetarëve, por fitimin e zgjedhjeve komunale. Gënjeshtrave do tu vijë fundi në tetor, kur do ta marrë përgjigjen jo vetëm nga banorët e Sellcës, por nga të gjithë tetovarët të cilët i ka gënjyer dhe i ka nënçmuar për 4 vjet me radhë”, tha Disha

Liridon Disha (këshilltar i BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Liridon Disha (këshilltar i BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023 ndërsa gurthemeli u hodh më 12 shkurt 2024 pas shumë zvarritjeve dhe shkeljeve të afateve. Ky objekt do të kushtojë rreth 100 milionë denarë. 

Banorët e Sellcës, objektin e ri të shkollës e presin me vite të tëra pasi nxënësit mësimin e ndjekin në kushte të vështira dhe në dy objekte, njëri është një barakë e ndërtuar rreth viteve të 60-ta ndërsa tjetri u fillua në vitin 2000, mirëpo objekti mbeti vetëm një konstruksion.